Nga Ruben Avxhiu
Një pjesë e madhe e popullsisë në Afganistan nuk e përjeton me tmerrin që trajtohet në Perëndim rimarrja e vendit nga talebanët.
Histeria dhe paniku masiv janë sidomos të përhapura në pjesët urbane të Kabulit dhe qendrave të tjera administrative, sidomos mes një elite të re që ka sunduar në këto 20 vjet si dhe mijëra njerëz në vende pune që i kanë lidhur drejtpërdrejt me koalicionin ndërkombëtar të paqeruajtësve. Një numër i madh pakicash etnike presin gjithashtu me frikë regjimin e ri.
Mirëpo, në shumë zona nga ana tjetër, talebanët janë pritur me hare, me një lloj ndjenje shpagimi e ndëshkimi për një klasë jashtëzakonisht të korruptuar që ka vegjetuar në këto dy dekada të paqes së nxehtë ndërkombëtare në Afganistan.
Cilido që e njeh sadopak këtë vend të Azisë Qendrore e di se përbëhet nga një larmi etnish, në një terren që është vështirë të ndërtosh një shtet qendror përveçse me diktatin ushtarak.
Afganistani është një aksident historik. Duhet të kishim mbase një Pashtunistan, me emrin e pashtunëve, popullatës mbizotëruese afgane, por kjo do t’i hapte telashe Pakistanit, sepse një pjesë madhore e pashtunëve jetojnë në Pakistan dhe bashkimi i tyre kombëtar do të kërkonte ndryshime kufijsh. Askush nuk jeton më vërtet në “Afganistan” përveç elitave të Kabulit. Jeta dhe politika është thellësisht lokale, etnike, tribale.
Asnjë qeveri qendrore nuk pranohet lehtë në këtë vend. Dështimi amerikan nuk është fitore e Afganistanit. Është dështimi i radhës për të pasur një Afganistan, në vend të një mozaiku etnik, kulturor, gjeografik, administrativ.
Për ironi, kjo nuk ndryshon shumë nga historia e Irakut ku interesat shiite, sunite, kurde etj ishin gjithmonë mbi ato mbarirakiane.
Talibanët nga ana tjetër, me disa përjashtime, kanë një platformë që mund t’i bashkojnë të gjithë afganët. Janë masivisht pashtunë, por mbi të gjitha ofrojnë një platformë fetare. Jo të gjithë afganët janë sunitë dhe pak prej tyre e duan zbatimin e rreptë të sherihatit që sjellin talebanët. Mirëpo, nëse kërkon një emërues të përbashkët feja mund të ofrojë më shumë për afganët sesa çfarëdo program tjetër afatshkurtër.
20 vjet janë shumë për durimin amerikan, por janë pak për të shndërruar një shoqëri si ajo afgane. Të ndërtosh një komb në shekullin tonë është veçanërisht e vështirë, sidomos nëse vjen me doreza dhe me ndjeshmëritë humane të kohës sonë, si vijnë pushtues të butë si amerikanët e europianët.
Të paaftë për të pasur një situatë të qetë në të cilën mund të ndërtonin Afganistanin e ri, amerikanët, si po del nga zbulimi i dokumenteve zyrtare, bënë pak me djallin. Ata blenë paqen me para aty ku nuk mund ta vendosnin me dhunë. Kryebanditët e zonave të ndryshme u korruptuan për të mos penguar zhvillimin e Afganistanit të ri. Por amerikanët nuk e kuptuan se si u bënë pjesë e problemit, në periudhën pastalebane, ku korrupsioni dhe abuzimi i pushtetit u bënë një problem i tmerrshëm për afganët.
Në fund, afganëve u kishte ardhur na majë të hundës, nga ish-komandantë gangsterë të pasuruar në emër të paqes, me zyrtarë të edukuar nga amerikanët por që nuk hoqën dorë nga tabiatet e vjetra të korruptimit. Këta njerëz ishin mbi ligjin dhe ishin në qendër të urrejtjes afgane. Amerikanët nuk mund të ndërhynin kudo, për çdo padrejtësi. Afganët, ashtu si popujt e çdo vendi ku korrupsioni bën kërdinë, kanë fantazuar për një forcë që vjen dhe i bën të paguajnë të gjithë ata vjedhin popullin, e pasurohen paturpësisht pa frikë nga drejtësia.
Kjo forcë u erdhi me talebanët që kanë sjellë terror për këdo që ka përfituar nga regjimi i deritanishëm. Ndonëse do të digjet i thati me të njomin, ka një gëzim të pakundërshtueshëm për këtë moment shpagimi për popullin e çfarëdo etnie apo kulture. Inati është i gjatë për këta njerëz që janë ndjerë të paprekshëm për vite me radhë.
Por kujtesa e popullit është e shkurtër.
Talebanët kanë qenë një regjim shumë mizor. Por afganët e moshës nën 30 vjeç – që është edhe mosha e pushkës – kanë qenë fëmijë, apo nuk kishin lindur ende, kur talebanët ranë nga pushteti. Gjithë jetën e kanë kaluar nën këtë regjimin e ri të korruptuar.
Sa kanë ndenjur talebanët në pushtet? 6-7 vjet? Më pak? Shqiptarët vuajtën për rreth 40 vjet dhe ende shfryjnë kundër padrejtësive të sotme me fjalë si “Ngrihu o Enver!” Jo se duan detyrimisht t’u ngrihet lugati por do ta donin pak orë ritkthim në një diktaturë ku ata që janë majmur e fryrë në kohën e sotme të dridhen njëherë nga tmerri i ndëshkimit.
Kjo kujtesë e shkurtër është një nga shumë faktorët që shpjegojnë apatinë e popullatave afgane për dallgën e talebanëve që përfshiu vendin. Talebanët do t’jua rifreskojnë shpejt kujtesën por do të jetë vonë. Për momentin, kurioziteti dhe iluzioni për ndryshimin e ri janë ende vendimtare, me përjashtim të mikrokozmosit të vogël të një përqindjeje të papërfillshme afganësh që i ka varur shpresat te ikja me perëndimorët. Në një farë mënyre, këto 20 vjet ishin një anomali. Afganistani po rikthehet në normalitet. Talebanët vetë do të zbulojnë shpejt se ta pushtosh Afganistanin nuk është e pamundur. Ta qeverisësh është punë tjetër. Nga një anë duket se talebanët ua morën Afganistanin amerikanëve, nga ana tjetër amerikanët ua ngecën talebanëve Afganistanin. Tani e kanë radhën ata të luajnë mendsh për ta bërë shtet. Ndërsa shumica e afganëve do të kujtohen se korrupsioni i elitave, sado i padurueshëm dhe ofendues, ka qenë njëfarësoj çmimi i lirisë.