Prishtinë, 8 tetor 2025 – Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, është dekoruar me Medaljen e Nderit nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për mbështetjen që ka dhënë për afirmimin e futbollist të Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe sidomos për pranimin e Federatës së Futbollit të Kosovës në FIFA.
Dorëzimi i dekoratës u bë të mërkurën në Prishtinë, në një ceremoni solemne, ku morën pjesë udhëheqës të Federatës së Futbollit të Kosovës, drejtues e lojtarë të ekipeve kombëtare dhe të klubeve të futbollit në Kosovës, si edhe përfaqësues të federative dhe klubeve të ndryshme sportive.
Me rastin e dorëzimit të dekoratës, Presidentja Osmani tha se futbolli ishte simbol i lirisë dhe qëndrueshmërisë së popullit të Kosovës edhe në kohët më të vështira.

“Në vitet më të errëta të okupimit, kur një luftë gjenocidale po zhvillohej kundër popullit tonë të pafajshëm, fëmijët e Kosovës gjetën lirinë në lojën e futbollit. Ata shikonin drejt idhujve të tyre për forcë dhe frymëzim. Dhe ata e mbanin topin duke e rrokullisur nëpër fusha të improvizuara, nëpër oborre me pluhur dhe nëpër rrugë të shkatërruara. Edhe në kampet e refugjatëve, larg nga shtëpia, futbolli u bë streha e tyre, veprimi i vetëm që nuk u hesht kurrë. Kur lufta përfundoi dhe liria u bë më në fund realitet, futbolli sërish u bë zemra që rrihte e popullit tonë. Dhe në ato vite të hershme të rindërtimit, një emër, një emër u bë përfaqësuesi i shpirtit të futbollit tonë dhe i shpirtit të vendit tonë Fadil Vokrri”, tha ajo.
Presidentja Osmani e vlerësoi lart kontributin e Fadil Vokrrit të ndjerë për zhvillimin futbollit në Kosovë dhe për afirmimin e tij në botën e madhe të futbollit.
“Ai ishte më shumë se një lojtar dhe më shumë se një udhëheqës. Ai ishte mishërimi i gjallë i qëndrueshmërisë dhe krenarisë së Kosovës. Ai mbante shpresat e vendit tonë shumë përpara se Kosova të kishte një vend në ndonjë tryezë ndërkombëtare. Dhe ai e përdori futbollin për t’i treguar botës se Kosova besonte dhe se Kosova ishte gati të qëndronte krah për krah me të tjerët”, tha ajo.
“Vokrri frymëzoi një brez që refuzoi të dorëzohej. Ai dëshmoi se talenti, disiplina dhe besimi në vendin tënd mund të lëvizin male, edhe kur ato duken të palëvizshme”, theksoi ajo.
Presidentja Osmani tha se pranimi i Kosovës në UEFA dhe në FIFA “ishte “një moment drejtësie dhe njohjeje të sakrificave, qëndrueshmërisë dhe ëndrrave” të popullit të Kosovës. Ajo theksoi se ishte z. Infantino ai që i dha mbështetje të fuqishme pranimit të Federatës së Futbollit të Kosovës në këto dy federata.
“I dashur President Infantino, ne do ta kujtojmë gjithmonë që ju qëndruat pranë nesh gjatë këtyre momenteve historike, gjatë momenteve vendimtare për anëtarësimin e Kosovës në UEFA si dhe në FIFA. Ju besuat në ne, besuat në potencialin e Kosovës dhe në fuqinë bashkuese të sportit, në një kohë kur të besoje kërkohej ende guxim. Ju e kuptuat se futbolli, në thelb, është për njerëzimin”, theksoi Osmani.
“Nën udhëheqjen tuaj, FIFA është bërë një familje e vërtetë kombesh, një familje ku secili e ka vendin e vet. Ju keni punuar pa u lodhur që futbolli të ndërtojë ura mes njerëzve, kudo që ata mund të jenë. Për Kosovën, kjo ka pasur një kuptim të jashtëzakonshëm. Ju i ndihmuat lojtarët tanë të valëvitin flamurin e një vendi të lirë e të pavarur që sot garon në skenën ndërkombëtare me krenari dhe dinjitet”, theksoi ajo.
Pas pranimit të dekoratës, Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, tha se ndihej i lumtur që ndodhej në Kosovë, të cilën e quajti si “shtëpi” të tij.

“Është nder i madh dhe kënaqësi e madhe, emocion i madh dhe lumturi e madhe të jem këtu, në shtëpinë time, në Kosovë, dhe ta pranoj këtë nder të madh, këtë medalje nga ju, Presidente e Republikës së Kosovës, mikesha ime, në emër të një vendi të mrekullueshëm si Kosova”, tha ai në fillim të fjalës së falënderimit.
“Kosova sot dhe Prishtina sot është kryeqyteti i botës apo jo? I botës së futbollit. Siç e dimë të gjithë, futbolli është gjëja më e rëndësishme në botë, kështu që Prishtina është kryeqyteti i botës sot”, thaai.
Infantino e kujtoi miqësinë dhe takimet e tij me legjendën e futbollit në Kosovë, Fadil Vokrrin e ndjerë. Ai e vlerësoi rolin jetik të Vokrrit për afirmimin e futbollit të Kosovës në botë. Vokrrit ia dedikoi dekoratën me të cilën e nderoi Presidentja e Kosovës.
“Këtë medalje, këtë nder e mirënjohje, dua t’ia dedikoj Fadil Vokrrit. Edhe gjithë popullit të Kosovës, në Kosovë dhe jashtë saj”, theksoi ai, pa i fshehur emocionet për nderin që iu bë në Kosovë.
(r.m.)