Integrimi në BE është pothuajse krejtësisht jashtë fushatës zgjedhore në Serbi

Beograd, 12 tetor 2026 – Bashkimi Evropian (BE) dikur ishte një nga temat kryesore të fushatave zgjedhore në Serbi. Por, një dekadë e gjysmë më vonë, marrëdhëniet me Bashkimin Evropian nuk janë më në mesin e mesazheve kryesore të fushatës zgjedhore, ndonëse Serbia e ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.

Në Serbi, e cila dikur ishte ndër më të avancuarit në procesin e integrimit evropian, por tani është ndër më të prapambeturit, është vetëm një listë zgjedhore që në qendër të programit të saj zgjedhor e ka BE-në.

Lista “Serbia evropiane”, e Partisë për Liri dhe Drejtësi të Dragan Gjillasit dhe Partisë Zemra (Srce) të Zdravko Ponoshit e ka në fokus të fushatës zgjedhore anëtarësimin e Serbisë në BE. Për partitë e tjera, përfshirë ato në pushtet, integrimi evropian nuk është temë kryesore e fushatës.

Serbia nuk ka hapur asnjë kapitull të ri në negociatat e anëtarësimit me BE-në prej dhjetorit të vitit 2021, për shkak se ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë dhe ka bërë hapa prapa në sundimin e ligjit dhe lirinë e medies.

Po për këto arsye, Serbia nuk është përfshirë as në udhërrëfyesit orientues, të cilët po i përgatit Komisioni Evropian për vendet që kanë ërë progres në procesin e integrimeve evropiane, mes të cilave janë: Mali i Zi, Shqipëria, Ukraina dhe Moldavia.

Qytetarët e Serbisë do t’u drejtohen kutive të votimit më 25 tetor, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Ish-presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është në garë për postin e kryeministrit.

Gjatë dekadës së fundit, Vuçiq është shprehur deklarativisht për integrimin e Serbisë në BE, por ka vazhduar të mbajë lidhje të forta me Rusinë dhe me forcimin e lidhjeve me Kinën.

(r.m.)