Integrimi, Parlamenti do të mblidhet të hënën për të votuar tre ligjet

Dy muaj pasi është djegur mundësia që Shqipërisë t’i hapej drita jeshile për të marrë statusin e vendit kandidat për në BE, partitë politike, pozita dhe opozita duket se kësaj radhe e kanë seriozisht

 

Aristir Lumezi

Më në fund erdhi dhe dita që parlamenti do të votojë tre ligjet që kërkohen nga Komisioni Europian për t’i hapur rrugën procesin të marrjes së statusit të vendit kandidat në BE.
Lajmi është dhënë nga kryeministri Berisha gjatë një mitingu elektoral në qytetin e Kukësit, kur ka thënë se parlamenti do të mblidhet për këtë qëllim ditën e hënë.
“Ditën e hënë do mblidhet Parlamenti shqiptar për të votuar ligjet. Por aty ne shkojmë ballë hapur sepse bëmë gjithçka për të merituar statusin e vendit kandidat, sepse ne çdo ditë kërkuam votimin e ligjeve”, është shprehur kryeministri Berisha.
Dy muaj pasi është djegur mundësia që Shqipërisë t’i hapej drita jeshile për të marrë statusin e vendit kandidat për në BE, partitë politike, pozita dhe opozita duket se kësaj radhe e kanë seriozisht. Ka qenë një ftesë e kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta i cili ftoi kryeministrin dhe kryetarin e opozitës, Edi Rama që të votojnë tre ligjet dhe që ato të hyjnë në fuqi pas shtatorit me parlamentin e ri që do të dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit. Bëhet fjalë për ligjin për funksionimin e Gjykatës së Lartë, ligjin për statusin e shërbimit Civil. Ndërsa mbetet ende pa votuar, por që përbën një nga ligjet që kërkon Komisioni Europian edhe rregullorja e parlamentit e cila ka kaluar përmes debateve të forta mes palëve. Bashkë me dy ligjet, të hënën parlamenti do të votyojë dhe rregulloren e re të tij. Në 23 maj, parlamenti ka mbyllur zyrtarisht mandatin e tij dhe ai mund të mblidhet tashmë vetëm në raste të jashtëzakonshme.
Pas shkëputjes së Ilir Metës nga koalicioni qeverisës, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim propozoi votimin e tre ligjeve që ndihmojnë procesin e integrimit të vendit. ky propozim i tij u mirëprit nga kryetari i Partisë Socialiste, aleati i tij më i ri, por me kushtin që ligjet të hynin në fuqi në muajin shtator.
Këtë kushte opozita e vendos për shkak se janë rreth 40 mijë punonjës të administratës që janë punësuar muajt e fundit me kontrata të përkohshme. Miratimi i ligjit për nëpunësin civil, në një nga nenet e tij, kërkon marrjen e statusit edhe për të gjithë ata punonjës që janë me kontrata të përkohshme, gjë që sipas opozitës do të mbushte administratën shtetërore me militantë të maxhorancës aktuale, ndërkohë që me ardhjen e saj në pushtet, opozita aktuale do të ketë të njëjtat presione dhe nga militantët e saj.
Pas konfirmimit të vullnetit nga ana e kryeministrit Berisha të propozimit të ardhur nga dakortësia mes Ramës dhe Metës, pritet që të hënën këto deklarata të kthehen në vota për të miratuar dy ligjet dhe rregulloren e re të parlamentit.