Tiranë, 4 korrik 2024 – Në Kuvendin e Shqipërisë të enjten u zhvilloi një interpelancë me ministren e Shëndetësisë lidhur me gjendjen e Spitalit Onkologjik të Qendrës Spitalore Universitare në Tiranë (QSUT). Interpelanca u zhvillua me kërkesë të opozitës, një javë pas publikimit të akuzave ndaj dy mjekëve dhe 5 personave të tjerë publikë që dyshohet se abuzonin me detyrën në dëm të pacientëve me tumore.
Ministrja Albana Koçiu shprehu mbështetjen për këto hetime dhe premtoi forcimin e ligjit mbi “Urdhërin e Mjekut”.
Por deputetët e opozitës theksuan se korrupsioni në sistemin shëndetësor buron nga drejtues të lartë qeveritarë, të cilët po përpiqen t’ua lënë përgjegjësinë mjekëve mbi gjendjen e vështirë në të.
Gjatë interpelancës së sotme, ngjarjen tek Spitali Onkologjik ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu e cilësoi si “skandal i një grupi individësh, që kanë thyer çdo element njerëzor e profesional”, i cili “përbën faj të rëndë e të patolerueshëm në nivelet e një krimi që hyn te veprat kriminale”, ndaj “secili prej tyre, duhet të përgjigjet për çdo veprim të kryer”.
Ministria e Shëndetësisë, shtoi ajo, mbështet me transparencë hetimet e nisura dhe qysh në çastin e parë, kur u mësua lajmi për zbulimet paraprake të Prokurorisë, bëri thirrje publike për të zbardhur deri në fund ngjarjen.
Zonja Koçiu tha se po përgatiten ndryshime në ligjin për Urdhërin e Mjekut për të shmangur konfliktin e interesit, duke i penguar mjekët që të punojnë edhe në spitale publike dhe në ato private, dhe për të zbatuar etikën profesionale me pacientën. Ndërkohë, ajo renditi investime në spitalin Onkologjik, që kanë përmirësuar shërbimin në të.
“Vetëm në QSUT janë realizuar mbi 100 milionë euro investime në këto vite. Spitali Onkologjik është shumë më i mirëpajisur dhe i mirëfurnizuar se më parë. Buxheti ynë për kimioterapitë është katërfishuar, duke minimizuar skajshëm rastet e vonesave apo pamundësisë për të ofruar kurim në spitalin publik. Akseleratorët lineare kanë shkurtuar listën e pritjes për marrjen e trajtimit me radioterapi nga 3 muaj në kohën tuaj, në dy-tre javë, çka është periudha optimale e rekomanduar dhe një kohë pritje më e shkurtër se mesatarja europiane”, tha ministrja Koçiu.
Por, deputetja e opozitës Zheni Gjergji theksoi se sistemi shëndetësor është mbërthyer nga korrupsioni i qeveritarëve të lartë, të cilët mundohen t’ia kalojë përgjegjësinë disa mjekëve, që dyshohen nga drejtësia për shkelje në detyrë për të marrë fitime të paligjshme.
Ajo tha se buxheti i shëndetësisë është më i ulëti në rajon dhe në Europë me 2.9-3.2 për qind e GDP-së, ndonëse 10 vite më parë kur erdhi në pushtet Partia Socialiste premtoi ta ngrinte buxhetin e shëndetësisë në 5 për qind.
Por edhe këtë nënfinancim, tha zonja Gjergji, autoritetet nuk ua dhanë si shërbime drejpërdrejt qytetarëve, por i ndanë si koncensione me klientët e tyre. Ajo shtoi se edhe buxheti për Onkologjikun është shkurtuar, ndërsa renditi një seri problemesh në atë spital.
“Krahas qytearëve dhe opozitës, po aq të vërteta iu ka përplasur para syve edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit me raportet e njëpasnjëshme, të cilat ngrejnë alarmin për mungesën e medikamenteve të domosdoshme, për shkak të papërgjegjshmërisë së komunikimit të QSUT-së dhe Spitalit Onkologjik, për mjekimet e skaduara për të cilat nuk zbatohet rregullorja e asgjësimit dhe evidentimit të tyre, për mungesë të trajtimit me kimioterapi, për mungesën e funksionimit të otovoltazhit dhe brakiterapisë, si dhe për mosvënien në punë të aparaturës së kobaltit”, tha zonja Gjergji.
Ndërsa qeveria dhe opozita vazhduan edhe sot debatet me shifra kontradiktore dhe fajësim të njëra tjetrës për politizim të situatës në sistemin shëndetësor hetuesit vijojnë hetimet për aferat korruptive tek Onkologjiku.
Gjykata e Tiranës vendosi një javë më parë nën dyshime për shpërdorim detyre në arrest shtëpie një mjek dhe një farmacist si dhe në masën detyrim paraqitje pesë punonjës të spitalit publik dhe të një klinike private, si të dyshuar për abuzime me pacientët e Onkologjisë. Në radhët e të dyshuarve është edhe zëvendës drejtoresha e QSUT, Brikena Qirjazi.
Ata dyshohen se kishin ngritur një skemë abuzimi në dëm të pacientëve të onkologjikut, duke u krijuar pengesa artificiale në spitalin publik dhe duke i drejtuar për qëllime përfitimi në klinika private, akuza të cilat ata nuk i kanë pranuar.
Situatën e vështirë në Spitalin Onkologjik, krahas pajisjeve, ilaçeve, mungesave dhe hetimeve për abuzim, e rëndojnë edhe rritja e numrit të pacientëve me tumore në afro 6 mijë raste të reja çdo vit, ndërsa Shqipëria i ka tashmë sëmundjet tumorale si shkakun e dytë më të madh për vdekshmërinë.
(Zëri i Amerikës)