INTERPOL-i lëshon fletarrestim për Milan Radoiçiqin

Lion, 7 dhjetor 2023 – Organizata ndërkombëtare e policisë, INTERPOL, lëshoi fletarrestim për ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq, në lidhje me sulmin e armatosur në Banjskë – pjesa veriore e Kosovës.

Lajmin e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë Nenad Rashiq, ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.

Ai tha se fletarrestimi është lëshuar me ndërmjetësimin e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, në bazë të kërkesës së Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.

Meqë Kosova nuk është anëtare e INTERPOL-it, fletarrestimet ndërkombëtare lëshohen në këtë mënyrë.

INTERPOL-i i tha Radios Evropa e Lirë se nuk komenton për rastet ose individët specifikë.

Nga kjo agjenci sqaruan se, me kërkesë të vendeve anëtare dhe pas verifikimit të pajtueshmërisë, ata lëshojnë të ashtuquajtura “njoftime të kuqe”.

“Njoftimi i kuq” i alarmon policitë në gjithë botën për të arratisurit që kërkohen ndërkombëtarisht dhe ndihmon në sjelljen e tyre para drejtësisë. Megjithatë, është në kompetencën e vendeve anëtare të INTERPOL-it për të vendosur nëse do të arrestojnë një person ose jo.

Në një deklaratë për REL-in, UNMIK-u tha vetëm se “i përpunon të gjitha kërkesat e pranuara nga autoritetet e Kosovës për lëshimin e Njoftimeve Ndërkombëtare për të Kërkuarit dhe ia komunikon ato INTERPOL-it për shqyrtim, në përputhje me procedurat e INTERPOL-it”.

Nga Ministria e Brendshme e Kosovës nuk iu përgjigjën kërkesës së REL-it për koment.

Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë më 29 shtator, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se MPB-ja do të kërkojë ekstradimin nga Serbia në Kosovë “të të gjithë atyre që kanë qenë të përfshirë në planifikimin dhe realizimin e aksionit terrorist” në Banjskë.

Atëkohë, Sveçla tha se hetimet kanë treguar si “mbi 80 terroristë” kanë qenë të përfshirë në sulmin në Banjskë.

Mediat në Serbi raportuan se INTERPOL-i ka lëshuar fletarrestime edhe për 11 persona të tjerë në lidhje me këtë sulm, por REL-i nuk arriti ta konfirmojë informacionin në mënyrë të pavarur.

Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe në Kosovë, u mor në pyetje nga Prokuroria e Serbisë në muajin tetor dhe u ngarkua me disa vepra, përfshirë trafikim armësh dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.

Megjithatë, gjykata në Beograd e liroi nga paraburgimi, por ia konfiskoi dokumentet.

Autoritetet e Kosovës bënë përgjegjëse udhëheqjen shtetërore të Serbisë për sulmin që nxiti shqetësime për qëndrueshmërinë në rajon, ndërsa Serbia e mohoi përfshirjen dhe drejtoi gishtin kah serbët e Kosovës.

(REL)