Intervista rreth historive të emigracionit të familjeve amerikane

Rubrika “Çështjet e Emigracionit” vjen me një autore e ftuar

Nga Catherine Bumrocki,
Projekt i Gazetarisë së Universitetit Fordham

Sipas ligjit amerikan, emigracioni përkufizohet si lëvizja e personave në një vend të ri me synimin për të banuar në atë vend. Sa e thjeshtë që duket. Një emigrant mund të jetë kushdo me dëshirën dhe këmbënguljen për të lënë vendin e tij për një jetë më të mirë. Në biologji, emigrimi mund të përkufizohet si rasti kur një kafshë ngre shtëpi në një mjedis sepse ka burime që mund t’i përdorë ose sepse mjedisi është ideal për ta. Është një proces demografik që përfshin ardhjen e individëve të rinj nga jashtë popullatës ekzistuese. Emigrimi është një nga faktorët që kontribuon në ndryshimet në madhësinë e popullsisë dhe larminë gjenetike. Në kontekstin e ekologjisë dhe dinamikës së popullsisë, emigrimi mund të ndikojë në dinamikën e një popullsie duke futur material të ri gjenetik, duke rritur potencialisht larminë gjenetike. Ky fluks i individëve të rinj mund të ndikojë gjithashtu në madhësinë dhe strukturën e përgjithshme të popullsisë. Njeriu e ka në ADN-në e tij nevojën për emigrim. Është një proces biologjik, një detyrim i nxitur nga nevoja për të rregulluar trupin dhe mjedisin e tij. Ashtu si çdo gjë tjetër që lulëzon në botë, ne si njerëz duhet të lëvizim kur shtëpia jonë nuk është ideale. Në shikim të parë mund të duket sikur ka një “grup të brendshëm” dhe një “grup të jashtëm” mes amerikanëve, mirëpo nuk është aq e thjeshtë. Shumica, në mos të gjithë amerikanët, e konsiderojnë veten si fëmijë emigrantësh.

Këto janë historitë e emigracionit të disa njujorkezëve

Ju lutem më tregoni për Historinë e Emigracionit të familjes suaj

“Mamaja ime është me origjinë kryesisht italiane nga Peruja, dhe babai im është i gjithi libanez nga Libani. E vetmja gjë që mund të them me siguri është se nuk para u pëlqen të flasin për përvojën e tyre… u gjendën njëkohësisht të dy në Baton Rouge, Luiziana, pasi kishin studjuar në vendet e tyre të origjinës. U lidhën (në kolegj) për katër muaj dhe më pas u martuan ‘për shkakun tim’. Nëna ime vjen nga një familje thellësisht katolike dhe ishte e divorcuar. Ishte një skandal i madh në anën e saj të familjes. U martuan gati menjëherë. Babai im është një inxhinier mjedisi kurse nëna ime ka punuar për një kohë si programuese kompjuteri për qeverinë. Punë e mërzitshme që mezi shtyhet. Hëm… Mami e pati më të vështirë që të asimilohet sesa babai. Ndonëse është jugamerikane e bardhë e flet gjuhën me shumë theks”.

(Naji, – Lindur në Luiziana)

Ju lutem më tregoni për Historinë e Emigracionit të familjes suaj?

“Ja, nëna ime ka lindur këtu, por është rritur në Meksikë. Babai im ishte një Hapa, kështu që ai lindi atje dhe u rrit këtu. Unë kam lindur dhe jam rritur në Bushwick. Nëna ime vdiq disa vjet më parë dhe babai u kthye në vendlindjen e tij.”

(Irving, Bushwick Brooklyn)

Ju lutem më tregoni për Historinë e Emigracionit të familjes suaj

“Nëna ime, nuk jam e sigurt. Ajo është portorikane. Mendoj se familja ka qenë atje për një kohë. Ajo ka shumë gjak spanjoll dhe portugez, gjak indigjen amerikan dhe nga disa vende në Afrikë. E di që stërgjyshja ime kishte një neveri të madhe për çdo gjë që e bënte të dukej e huaj. Ajo ishte shumë e mërzitur për shkak të kësaj, dhe me të vërtetë u përpoq të asimilohej. Vinte nga Evropa. Familja e babait tim erdhi në fillim të viteve 1900 nga Polonia dhe Gjermania dhe mendoj se edhe Austria, po.

A dini ndonjë gjë se çfarë pune kanë bërë?

“Nuk e kam idenë. E di që një nga stërgjyshërit e mi kishte një karrocë me mollë në Lower East Side, e cila tani bie në Chinatown. Gjyshërit nga ana e nënës jetonin në Bronx. Gjyshja ime ishte parashikuese e fatit.

(Max R., Lower East Side Manhattan.)

Më tregoni për trashëgiminë tuaj kulturore.

“Unë jam sicilian dhe kalabrez. Nga ana e babait, gjyshja emigroi nga Siçilia kur ishte fëmijë. Po vërtet e vogël. Stërgjyshi im ishte në Amerikë për shumë më gjatë. Mendoj se ishin punëtorë fabrike. Nga ana e nënës sime, gjyshja erdhi gjithashtu si fëmijë i mitur. Ata u vendosën në Kaliforni ku stërgjyshi im ishte pronar restoranti dhe muzikant.
Disa nga anëtarët e familjes sime ishin fermerë në Iowa dhe një Zot e di se kur kanë ardhur.”

Po këto flokë të kuq nga i ke?

“Këto janë nga fermeri i Iowa-s, me origjinë gjermane, irlandeze. Të dy prindërit e mi i kishin baballarët e tyre të bardhë të përzier; ata erdhën në Amerikë në kohët e hershme. Prindërit e mi u takuan në një dasmë – në dasmën e kushëririt tim. Babai punon në menaxhimin e ujit kurse nëna është një konsultente për probleme të jetës”.

Ndihesh shumë amerikan?

Ndihem shumë amerikan. Por mendoj se më shumë se çdo gjë tjetër ndihem kalifornian.

(Jordyn, Kaliforni)

Ju lutem më tregoni për Historinë e Emigracionit të familjes suaj

“Po. Është shumë më e qartë nga ana e babait tim. Stërgjyshja ime u largua nga Austria në vitin 1938, pikërisht kur nazistët ishin duke hyrë. Nga ana e mamasë sime, më duket se ana e babait të saj erdhi në Amerikë diku përpara Luftës së Parë Botërore, mbase në 1912. Jam austriak nga babai. Nga ana e mamasë, janë si nga një vend që nuk ekziston më. Diku afër Rusisë. Një vendbanim hebre, Oblast.”

A e dini se ku jetuan dhe çfarë bënin?

“Në Amerikë? Të dy u shpërngulën në Nju Jork. Stërgjyshja ime, Elizabeth, jetonte në 820 Riverside Drive. Puna e saj e parë ishte si rrobaqepëse kur ishte 19 vjeç. Dhe pastaj stërgjyshi im, nuk e di se çfarë bënte kur ishte i ri dhe u vendos këtu. Përfundimisht ata u shpërngulën në Long Island dhe stërgjyshja ime u bë shtëpiake. Kurse stërgjyshi im filloi një kompani me të atin që prodhonte pjesë aeroplanësh. Ata vazhduan me atë biznes për një kohë të gjatë dhe gjyshi im drejtonte kompaninë. U mbyll në vitin 2000”.

(Jessica W., 20 vjeç, Karolina e Veriut)

Presim me kënaqësi dhe interes intervista të mëtejshme të amerikanëve dhe historitë e tyre të emigracionit, veçanërisht të shqiptarëve që jetojnë në Bronx, pranë Universitetit Fordham.

Ne i nxisim njerëzit që të konsultohen me një profesionist të imigracionit për situatën e tyre të veçantë. Qëllimi ynë është të ndihmojmë komunitetin shqiptar dhe të fuqizojmë emigrantët me informacionin për të kërkuar ndihmë vetë. Ne inkurajojmë komentet dhe pyetjet tuaja përmes telefonit ose me postë elektronike në [email protected]