Inxhinieri me famë, Zihni Buzo

(Një intervistë me inxhinierin Zihni Buzo,  realizuar në vitin 1994 dhe botuar në gazetën “Illyria” dhe librin “Shqiptarët e Amerikës”)

Nga Vehbi Bajrami

Vehbi Bajrami

ARMIDALE (AUSTRALI)

Nuk i pëlqej bisedat me receptor në dorë, por jemi shumë larg dhe intervista duhet të bëhet gjithsesi.

Në anën tjetër të telefonit një burrë 82 vjeçar. Atje ditë, këtu – natë. Këtu e enjte, atje e premte. Në New York është dimër i ashpër, bie borë, atje është ditë vere e bën vapë.

Një përshëndetje shqiptari vjen nga larg. Nga Armidale, Australi, flet inxhiner Zihni Buzo. E përgëzoj: “Urime, inxhinier Buzo!”

Këshilli i Institutit të Inxhinerëve të Australisë i ka dhënë gradën më të lartë “Honorary Fellow”.

– Ç’është kjo gradë, inxhinier Buzo?

– Po si t’ua them? Ky është një nder i madh. Vetëm 124 inxhinierë të Australisë kanë marrë një gradë të tillë, që nga themelimi i Institutit para 75 vjetësh. Instituti ka rreth 100 mijë anëtarë…

E lus inxhinierin tonë të tregojë biografinë e tij. Hera e parë që flas me të e dua të di sa më shumë për jetën e tij.

– Kam lindur në Lezhë, në vitin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Babai ishte nëpunës i financave. Ai e përfundoi shkollën në Janinë. Atëherë vetëm Janina dhe Shkodra kishin shkollë të mesme. Lufta Ballkanike tronditi qytetin e vogël. Familja ime u detyrua të ikte me vapor nga Lezha për në Durrës e prej andej në Berat. Vitet që pasuan ishin plot luftëra, plot tmerre, plot urrejtje. Grekët në një anë e serbët në anën tjetër, donin të gllabëronin tokat shqiptare. 17 vjeç kam qenë kur shkova në “Robert College” të Stambollit. Atje takova poetin e madh Gjergj Fishtën. Atëherë në Turqi mbahej një konferencë ballkanike. Ishin mbledhur përfaqësuesit e të gjitha shteteve të Ballkanit për të bërë një bashkim, një pajtim për paqe. Gjergj Fishta përfaqësonte Shqipërinë. Për ne ai ishte i dërguari i Perëndisë. Fliste me ne, bisedonte me të huajt, bënte humor. I foli shqip një italiani.

– Nuk të kuptoj, – i tha ai.

– Si nuk e kupton këtë gjuhë të Zotit? – ia ktheu Fishta.

Zihni Buzo studimet i kreu në “Robert College” të Stambollit (tri vitet e para) dhe në California (vitin e fundit). U specializua në “Harvard University” më 1935, ndërsa studimet për planifikim dhe urbanizëm i përfundoi në Universitetin e Sydney-t (Australi), më 1950. Gjatë Luftës së Dytë Botërore inxhinier Buzo drejtoi një shoqatë shqiptare në Queensland të Australisë, e cila kishte për qëllim, siç shkruante gazeta “Liria” e Boston-it, “shpëtimin e atdheut dhe bashkimin e të gjithë shqiptarëve”. Shoqëria me degët në Mereeba, Babinda, Biloela e Aherton kishte rreth 300 anëtarë “me vullnet patriotik që të japin çdo ndihmë për shpëtimin e Shqipërisë e të popullit shqiptar që po lëngon nën zgjedhën e invadorëve nazistë”.

Zihni Buzo njohu edhe imzot Nolin.

– Takimet me njerëz si ai nuk harrohen kurrë. Fan Noli ishte njeri i madh, – thotë Buzo. – Gjashtë dekada më parë, kur po specializohesha në “Harvard University”, mora rrugën për në Boston. Atje ishte qendra e shqiptarëve të Amerikës. Kisha dëshirë që ta takoja Fan Nolin. Në Kishën e Shën Gjergjit ai po mbante meshën. Njerëzit që ishin në faltore nuk e harrojnë kurrë atë ditë. Tema e shërbimit ishte: “Mos i bëj tjetrit gjëra të liga, të cilat nuk dëshiron të t’i bëjë ty”. E mbaj mend si tani kur imzot Noli tha: “Duhet të jetojmë përherë në vëllazëri me njëri – tjetrin dhe me të huajt. Askujt nuk bën t’i bëjmë të keqen”, -kujton Buzo dhe shton: -Isha me fat që takova katër personalitete të shquara shqiptare: Gjergj Fishtën, Fan Nolin, Mit’hat Frashërin e Aleksandër Xhuvanin, këta njerëz të mëdhenj që të mbushin me krenari.

Por edhe Zihni Buzo vetë ka me çfarë të krenohet.

Një biografi e gjatë pune e një bilanc i pasur suksesesh. Punoi anekënd botës. Kudo që shkoi, la gjurmë e përshtypje të mira. Tek kujton ato kohë, zëri përmes telit vjen plot mallëngjim:

-Ka qenë jetë interesante ajo. Së pari në Shqipëri gjatë viteve 1935 – 1939, kur punova si inxhiner i higjienës dhe i ujërave në seksionin antimalarik e pastaj në vende të huaja.

Më pas ai radhit sukseset që ka arritur në vende të ndryshme të botës.

Vitet 1940 – 1949. Shumë nga punimet e kësaj periudhe kishin të bënin me nevojat urgjente të ushtrisë australiane, amerikane dhe holandeze. Punimet përfshinin ndërtime industriale, kazerma, spitale, vaporë e barka dhe pajisje të tjera teknike për marinën. Vitet 1949 – 1951: profesor në departmentin e inxhinierisë në Universitetin e Sydney-t (Australi), ndërsa në vitet 1951 – 1959 realizim projektesh të ndryshme hidro – elektrike, punë botore, ura, rrugë, ndërtime, drenazhe, kanalizime, ndërtesa…

Prej vitit 1959 e deri më 1974, inxh. Zihni Buzo punon në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, me qendër në Gjenevë. Për punën që bën i duhet të shkojë në rreth 50 shtete të Afrikës, Azisë e Amerikës Jugore. Bashkëpunon me organizatat e tjera të Kombeve të Bashkuara dhe merr pjesë si përfaqësues i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në konferenca të ndryshme si: për kontrollimin e sëmundjeve tropikale, për stërvitjet dhe instruksionet në kurse të posaçme për higjienistë, përmirësimin e teknikës dhe teknologjisë në spitale dhe në shërbimet e tjera të mbrojtjes së shëndetit të popujve nga sëmundjet dhe aksidentet.

Pas daljes në pension, më 1974, angazhohet në punime e projekte që kanë të bëjnë me planifikimin, ujërat, ndërtesat industriale e hidro – elektrike etj.

Gjithë këto arritje nuk e japin akoma të plotë portretin e inxhinier Buzos.

Gjatë kohës që punoi në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, botoi libra e raporte për shtetet ku qëndroi.

Inxhinier Zihni Buzo për një kohë ishte edhe kryetar i komisionit të diplomimit të Universitetit “New England” në Armidale, kryetar i “Institutit Mbretëror për Politikat Ndërkombëtare”, dega e Armidale-it, kryetar i “Alliance Française”, dega e Armidale-it.

Qeveria e Australisë e dekoroi me “urdhërin për shërbime publike”.

– Cili ka qenë angazhimi juaj më i rëndësishëm, inxhinier Buzo?

– Vepra më e madhe ka qenë projekti i hidrocentralit këtu, në Armidale, për të furnizuar tërë qytetin me energji elektrike.

– Keni qenë anëtar i dy shoqatave të inxhinierëve në Australi e Amerikë. Cili ishte kontributi juaj këtu?

– Kontributi im ka qenë në realizimin e studimeve dhe raporteve mbi teknikën dhe teknologjinë për më shumë se pesë dekada. S’mund t’i radhis dot përmes telefonit të gjitha punimet që kam bërë.

– Me se po merreni në këtë kohë? Jeni në pension, por thatë se punoni akoma.

– Po, punoj vazhdimisht. Jam i zënë me historinë e popujve në lëmin e inxhinierisë, në çështjet sociale, mirëbërse dhe të politikës. Kohën e lirë e kaloj me dy djemtë dhe me shumë miq në Australi e jashtë…

– Me se merren djemtë?

– Me hartim tekstesh dhe mësimdhënie në universitete. I madhi, Aleksandri, po shkruan një pjesë të tekstit të historisë së themelimit të Kombeve të Bashkuara në San Francisco, në vitin 1945. Siç e dini, kjo organizatë botërore feston këtë vit 50 vjetorin e themelimit të saj. Im bir po shkruan edhe një dramë. Këto vepra i ka kërkuar Komiteti Përgatitor për festimin e 50 – vjetorit të Kombeve të Bashkuara. Djali i vogël, Adriani, është drejtor i institutit dhe profesor për gjuhën dhe kulturën koreane këtu, në Australi.

– Po për Shqipërinë ç’mund të bëni? Si mund të ndihmoni?

– Në këtë moshë e kam të kufizuar mundësinë për të ndihmuar, por kam dëshirë, e ndofta mund të bëj diçka për shkollat teknike.

Zihni Buzo, qysh nga viti 1939 vetëm njëherë e ka vizituar Shqipërinë.

– U gëzova shumë kur më 1965 shkela në tokën time, në tokën ku kam lindur. U kënaqa me të afërmit e me të gjithë. U largova me përshtypjet më të këqia për pushtetin dhe me përshtypjet më të mira për popullin. Më caktuan një të afërm të më shoqëronte gjatë qëndrimit tim atje. Dikush më kërkoi t’u tregoja se si ishte jeta në Australi, si jetonte populli. U tregova se atje dikush ka shtëpi të bukur, me kopsht e gjelbërim, por ka edhe të tjerë që nuk kanë shtëpi. Kur…pas përgjegjes sime, shpërthyen fjalët e tyre si plumb kobureje: “Ke ardhur të vizitosh Shqipërinë, siç i ka hije një turisti, apo që të bësh propagandë për shtetin e Australisë!”. U stepa, u zhgënjeva. Spiunët ishin kudo. Populli ruhej prej tyre.

Një dashuri të madhe Zihni Buzo ndjen për Kosovën.

– Dëshira ime më e madhe është liria e Kosovës. Ajo është pjesë e Shqipërisë etnike, ajo është Shqipëria vetë. Pa Kosovë, nuk ka Shqipëri.

Së fundi, në këtë intervistë ai kërkon të shprehë edhe një dëshirë apo një si testament për Kosovën, për Universitetin e Prishtinës.

– Kam edhe një dëshirë tjetër. Të shkoj në Kosovë e të ndihmoj Universitetin. Mijëra libra nga lëmi i inxhinierisë dua që t’ia fal Universitetit të Prishtinës. Le t’i shfrytëzojnë gjeneratat e reja. Le të jenë një kujtim nga unë, Zihni Buzo, që Kosovën e kam pasur përherë në zemër. Kosovës i dëshiroj çlirim sa më të shpejtë…

Një orë bisedë në telefon, një orë pyetje e përgjegje. E megjithatë, intervista prapë më duket si e papërfunduar, kur kam parasysh biografinë dhe karrierën e tij aq të pasur.

Mos e harroni këtë emër: Inxhinier Zihni Buzo!

PS: Zihni Buzo ndërroi jetë në vitin 2006.