Irani e dënon ashpër sulmin e SHBA-së ndaj objekteve bërthamore, paralajmëron “pasoja të përhershme”

Teheran, 22 qetrshor 2025 – Irani i ka dënuar ashpër sulmet ajrore të Shteteve të Bashkuara ndaj objekteve bërthamore iraniane, duke paralajm, duke paralajmëruar se ato do të kenë pasoja të rënda.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, i ka cilësuar sulmet amerikane si “shkelje të rëndë” të Kartës së Kombeve të Bashkuara, të së drejtës ndërkombëtare dhe të Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT).

Në një postim në X, Araqchi ka shkruar se SHBA-ja, si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ka vepruar në kundërshtim me parimet ndërkombëtare duke sulmuar instalacione që, sipas Teheranit, janë për përdorim paqësor.

Ai ka paralajmëruar “reagim të ligjshëm” të Iranit ndaj sulmeve ajrore ndaj objekteve bërthamore të vendit të tij, duke theksuar se ato do të kenë “pasoja të përhershme”.

“Në përputhje me Kartën e OKB-së dhe dispozitat e saj që lejojnë reagim të ligjshëm në vetëmbrojtje, Irani rezervon të gjitha opsionet për të mbrojtur sovranitetin, interesat dhe popullin e vet”, ka shkruar ai. 

Ministria e Jashtme e Iranit, në një deklaratë të re të saj, tha se do të mbrohet kundër asaj që e cilësoi “politikë luftënxitëse të SHBA-së”.

“Republika Islamike e Iranit është e vendosur të mbrojë territorin, sovranitetin, sigurinë dhe popullin e Iranit me të gjitha fuqitë dhe me të gjitha mjetet kundër agresionit kriminal të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, thuhet në deklaratën e postuar në mediat sociale.

Irani ka bërë thirrje për një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të dënuar sulmin.

Të shtunën, para sulmeve ajrore të Shteteve të Bashkuara, Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, tha se Irani nuk do ta ndalë programin e tij bërthamor “në asnjë rrethanë”, ndërsa ministri i jashtëm Abbas Araqchi, po të shtunën, dekalroi se përfshirja ushtarake direkte e SHBA-së “do të ishte shumë, shumë e rrezikshme për të gjithë”.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi se ushtria amerikane i ka goditur objektet bërthamore iraniane në Fordo, Natanz dhe Isfahan, në përpjekje të përbashkët me Izraelin për të shkatërruar programin bërthamor të Iranit, pasi diplomacia dështoi ta kthente Teheranin në tavolinën e negociatave.

“Qëllimi ynë ishte shkatërrimi i kapacitetit të Iranit për pasurim të uraniumit dhe ndalimi i kërcënimit bërthamor që paraqet sponsori numër një shtetëror i terrorizmit në botë”, tha Trump.

Irani vazhdon të mohojë se programi i tij bërthamor ka për qëllim prodhimin e një bombe atomike.

(r.m.)