Irani hap zjarr ndaj një anije cisternë në Ngushticën e Hormuzit

Teheran, 18 prill 2026 – Ushtria britanike ka thënë se dy anije të armatosura të Gardës Revolucionare të Iranit hapën zjarr ndaj një anije-cisternë që po kalonte përmes Ngushticës së Hormuzit, pasi Irani kishte njoftuar se kishte rivendosur kufizime në këtë rrugë ujore.

Qendra e Operacioneve të Tregtisë Detare të Mbretërisë së Bashkuar bëri të ditur se anija dhe ekuipazhi janë të sigurt, por nuk ka dhënë detaje për anijen apo destinacionin e saj, raportoi AP. 

Irani gjatë luftës shtatëjavore e ka penguar kalimin e anijeve, përveç atyre që i ka autorizuar vetë.

Të enjten, Irani kishte njoftuar rihapjen e përkohshme të Ngushticës së Hormuzit pas një marrëveshjeje të veçantë armëpushimi 10-ditor të ndërmjetësuar nga SHBA-të midis Izraelit dhe Libanit.

Por, të shtunën, Komanda e forcave të armatosura të Iranit tha se kalimi transit i anijeve përmes ngushticës bëhet pas një kontrolli të rreptë të ushtrisë iraniane. Ajo ka thënë se kjo masë është pasojë e, siç është shprehur, “shkeljeve të përsëritura të SHBA-së” dhe “akteve të piraterisë”.

(r.m.)