Teheran, 3 mars 2026 – Një komandant i Korpusit të Gardës Revolucionare të Iranit (IRGC) ka thënë se Ngushtica e Hormuzit është e mbyllur dhe ka paralajmëruar se do të sulmohet çdo anije që përpiqet të kalojë nëpër këtë ngushticë.
“Ngushtica është e mbyllur. Nëse dikush përpiqet të kalojë, heronjtë e Gardës Revolucionare dhe të marinës së rregullt do t’ua vënë flakën këtyre anijeve”, ka thënë të hënën Ebrahim Jabari, këshilltar i lartë i komandantit të përgjithshëm të IRGC-së, ctransmeton Al Jazeera.
Teherani ka shënjestruar infrastrukturën kritike për prodhimin e energjisë në botë, si pjesë e hakmarrjes për sulmet izraelite dhe amerikane ndaj Iranit q filluan të shtunën, në të cilat u vranë udhëheqësi suprem iranian Ajatollah Ali Khamenei dhe disa zyrtarë të tjerë të lartë të shtetit e ushtrisë.
Jabari paralajmëroi se Irani do të sulmojë tubacionet e naftës në rajon.
“Ne gjithashtu do të sulmojmë tubacionet e naftës dhe nuk do të lejojmë që asnjë pikë nafte të largohet nga rajoni. Çmimi i naftës do të arrijë në 200 dollarë në ditët në vijim”, ka thënë Jabari në një postim në kanalin e IRGC-së në Telegram.
“Amerikanët, me borxhe prej mijëra miliarda dollarësh, janë të varur nga nafta e rajonit, por ata duhet ta dinë se as një pikë nafte nuk do t’i arrijë”, ka theksuar Jabari, citoi agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve në Iran, Tasnim.
Ngushtica e Hormuzit, e cila shtrihet midis Iranit dhe Omanit, është një nga rrugët kryesore të transportit të naftës në botë. Nëpër këtë ngushticë kalon rreth 20 për qind e furnizimeve globale të naftës.
(r.m.)