Berlin, 16 gusht 2025 – Samiti i shumëpritur midis Presidentit të SHBA-së Trump dhe Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, përfundoi pa ndonjë rezultat konkret, ndonëse Trump dhe Putin thanë se bisedimet e tyre kishin qenë pozitive.
“Ne krijuam kontakte të mira, të drejtpërdrejta me zotin Trump”, tha Putini në konferencën e përbashkët për gazetarë.
Ai tha se bisedimet me Trumpin mund të shërbejnë si pikënisje për një zgjidhje të konfliktit të Ukrainës, por nuk dha detaje.
Edhe Trumpi e vlerësoi atmosferën e takimit, por ai nuk tha ndonjë gjë konkrete.
“Patëm një takim jashtëzakonisht produktiv dhe ramë dakord për shumë pika. Të hapura kanë mbetur shumë pak. Disa nuk janë aq të rëndësishme. Njëra mund të jetë më e rëndësishmja, por kemi një shans shumë të mirë për të arritur qëllimin tonë. Nuk jemi ende atje, por kemi një shans shumë të mirë për të arritur atje”, tha Trump.
“Nuk ka marrëveshje derisa të ketë një marrëveshje”, theksoi ai.
Pas deklaratave të bëra nga të dy presidentët nuk u lejuan pyetje nga gazetarët.
Në një intervistë për Fox News, Trumpi theksoi se Ukrainaduhet të bjerë dakord për një marrëveshje të mundshme me Rusinë dhe e këshilloi Zelenskin të pajtohet për një marrëveshje.
“Bëjeni marrëveshjen. Ju duhet ta bëni marrëveshjen”, u shpreh ai.
Ish-kryetari i Konferencës së Mynihut për Sigurinë, Wolfgang Ischinger, e cilësoi takimin e Alaskës si “fitore të qartë” të Putinit.
“Alaska: Putini mori tapetin e kuq me Trumpin, Trumpi asgjë,” shkroi Ischinger në platfformën X.
“Sikurse kishim frikë: pa armëpushim, pa paqe. Pa përparim të vërtetë – shumë qartë 1:0 për Putinin – jo sanksione të reja. Për ukrainasit: asgjë. Për Evropën: thellësisht zhgënjyese,” shkroi Ischinger.
Ischinger ka qenë ambasador i Gjermanisë në Shtetet e Bashkuara nga viti 2001 deri në vitin 2006. Ai ka qenë kryetar i Konferencës së Mynihut për Sigurinë nga viti 2008 deri në vitin 2022.
(r.m.)