Prishtinë, 26 maj 2025 – Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Gramos Agusholli, është ndaluar rreth shtatë orë nga autoritetet serbe në pikën kufitare në Merdar, gjatë udhëtimit të tij transit nëpër Serbi.
Agusholli ka treguar se ai është lënë të presë tri orë e pastaj është marrë në pyetje rreth katër orë.
“Rreth orës 09:00 u ndalova nga policia. Fillimisht na lanë të presim tri orë, e pastaj erdhën zyrtarët e shërbimit shtetëror dhe më morën në ato zyrat, ku nisi ajo marrja në pyetje për gati katër orë të tëra, pa ndalë:, ka deklaruar Agusholli për RTK.
Ai ka thënë se gjatë marrjes në pyetje është pyetur për aktivitetin e tij politik dhe për pjesëtarët e tij të familjes dhe për angazhimin e tyre në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës.
“Tema kryesore ka qenë angazhimi politik dhe të qenit pjesëtar i Lëvizjes Vetëvendosje. Nisën me pyetje rreth angazhimit të pjesëtarëve të familjes sime në UÇK gjatë luftës së fundit”, ka thënë ai.
Agusholli e ka cilësuar ndalimin e tij si pjesë të presionit ndaj zyrtarëve politikë e publikë të Kosovës.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës njoftoi se Agusholli, pas lirimit, ka vazhduar rrugëtimin drejt Sllovenisë, për ku ishte nisur.
Ministria ka shprehur shqetësimin për ndalime të tilla nga autoritetet serbe, të cilat i ka cilësuar si praktika represive që bien ndesh me të drejtën ndërkombëtare dhe me konventat për të drejtat e njeriut.
“MPJD do të vazhdojë të përcjellë me vëmendje çdo situatë që cenon të drejtat e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe i bën thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare të reagojë ndaj Serbisë për ndalimin e praktikave të tilla”, ka thënë kjo ministri.
Gramos Agusholli ka qenë deputet i Lëvizjes Vetëvendosje në përbërjen e kaluar të Kuvendit të Kosovës. Në zgjedhjet e 9 shkurtit ai nuk arriti të zgjidhet deputet për përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës.
(r.m.)