Ish-deputeti i PS-së, Alqi Bllako, dërgohet në gjyq për korrupsion

Tiranë, 17 nëntor 2024 – Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, njoftoi të dielën, më 17 nëntor, se të premten ka paraqitur në gjykatë kërkesën për dërgimin në gjyq të ish-deputetit socialist Alqi Bllako për korrupsion pasiv, të kryer në dy raste. Në njoftimin e prokurorisë thuhet se Bllako ka përfituar në mënyrë të parregullt shuma monetare prej 119,715 euro dhe 7,520,000 lekësh për Vladimir Bezhanin, gjatë kohës që ishte Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit. Hetimet lidhen me kontratën koncesionare të vitit 2017 për ndërtimin e landfillit, inceneratorit dhe rehabilitimin e vend-depozitimeve ekzistuese në Tiranë, të lidhur mes Ministrisë së Mjedisit dhe shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k.

Më 2 gusht, SPAK njoftoi dërgimin në gjyq të 12 të pandehurve të tjerë lidhur me këtë aferë, përfshirë ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka, vartës të tij dhe zyrtarë të Bashkisë Tiranë, të cilët akuzohen për favorizim të shoqërisë koncesionare në dëm të buxhetit të shtetit. Në njoftimin e SPAK theksohet se procedimi ndaj Bllakos është i ndarë nga hetimi fillestar për inceneratorin e Tiranës. Sipas prokurorisë, Bllako ka propozuar që Vladimir Bezhani të punësohej si këshilltar i jashtëm i Lefter Kokës dhe të ndihmonte në hartimin e dokumentacionit për propozimin e pakërkuar të shoqërisë propozuese “Integrated Technology Services” sh.p.k.

Bllako akuzohet gjithashtu se ka përfituar në mënyrë të tërthortë shumën prej 119,715 eurosh nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, pronarët de facto të shoqërisë koncesionare, për blerjen e një pajisjeje për aktivitetin tregtar të babait të tij në Ersekë. Ndërkohë, SPAK bën me dije se hetimet për aferën e inceneratorëve, të regjistruara që në vitin 2020, po vijojnë për të evidentuar fakte të tjera penale dhe përfshirjen e zyrtarëve shtetërorë.

Skandali i inceneratorëve filloi në vitin 2014 me një vendim të qeverisë për shpalljen e një emergjence mjedisore, që justifikoi dhënien e koncesionit të inceneratorit të Elbasanit. Më pas, të njëjtët kompani morën koncesione për inceneratorët e Fierit dhe Tiranës. Dy ish-zyrtarë të lartë, përfshirë Bllakon dhe Kokën, janë shpallur fajtorë për shpërdorim detyre. Bllako është dënuar me 2 vite e 8 muaj burgim për çështjen e inceneratorit të Fierit, ndërsa në çështjen e Elbasanit Apeli ndryshoi vendimin duke e dënuar atë për shpërdorim detyre me të njëjtën masë dënimi.

(Reporter.al)