Beograd, 2 shtator 2021 – Ish-diplomati serb, Zoran Milivojeviq, ka thënë se fati i Marrëveshjes së Ëashingtonit është në duart e Shteteve të Bashkuara.
Ai ka thënë se ai nuk beson që SHBA-ja do të këmbëngulë që marrëveshja të zbatohet në kapacitetin e saj të plotë dhe vlefshmëria e saj do të zgjatet pas 4 shtatorit.
“Unë nuk besoj se vlefshmëria e marrëveshjes së Uashingtonit do të vazhdojë pas 4 shtatorit. Mund të pritet që pala amerikane të ketë parasysh disa lëvizje në sferën ekonomike, ardhjen e DFC dhe disa aranzhime ekonomike, por nuk besoj se do të insistojë në zgjatjen e marrëveshjes me kapacitet të plotë”, ka thënë Milivojeviq.
Milivojeviq ka thënë se Uashingtoni deri më tani nuk ka treguar se do ta respektojë këtë marrëveshje, veçanërisht në lidhje me Kosovën. Ai ka theksuar se administrata amerikane qëndron fort në pozicionin për njohjen reciproke midis Kosovës dhe Serbisë.
Milivojeviq ka thënë gjithashtu se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të qartë se nuk do ta respektojë marrëveshjen e Uashingtonit, prandaj ka sugjeruar që Serbia të rifillojë fushatën diplomatike për çnjohjen e Kosovës.
“Ne nuk kemi detyrime. Nuk na mbetet gjë tjetër veçse t’i kthehemi politikës së çnjohjes”, ka thënë Milivojeviq.
Të enjten, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se pret që, menjëherë pas skadimit të moratoriumit për ndërprerjen e fushatave diplomatike të të dyja vendeve, Kosova të rifillojë “ofensivën”diplomatike për sigurimin e njohjeve të reja dhe për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
Ai ka thënë se kjo do të ketë efekte negative në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, por ka theksuar se Serbia do t’i kundërpërgjigjet ofensivës diplomatike të Kosovës.
(r.m.)