Ish drejtuesja e ARRSH-së akuzohet për tenderin e tunelit të rrugës Kardhiq-Delvinë

Tiranë, 26 tetor 2022 – Në Shqipëri, prokuroria e Posaçme mori sot të pandehur ish drejtoreshën e Autoritetit Rrugor të Shqipërisë (ARRSH), Sonila Qato, në kuadër të hetimeve për ndërtimin e tunelit në rrugën Kardhiq – Delvinë në jug të vendit. Ish zyrtares së lartë iu komunikua sot nga prokurorët akuza për “Shkeljen e barazisë në tendera”.

Gati 3 vjet më parë, institucioni i drejtuar nga zonja Qato kishte përjashtuar nga gara për ndërtimin e tunelit, kompaninë Gjoka, duke pretenduar se kishte paraqitur dokumentacion jo të rregullt, dhe shpalli fitues një bashkim kompanishë që kishte ofruar vlerën më të lartë prej 18.9 milion eurosh. Komisioni i Prokurorimit Publik e hodhi poshtë vendimin e ARSH-së, ndërsa kompania e kundërshtoi këtë vendim, dhe më pas ngriti padi penale ndaj ish drejtueses së Autoritetit Rrugor.

Gara për tunelin qëndroi pezull për gati më shumë se një vit, pasi qeveria e anulloi atë për ta rihapur me vonë. Këtë herë ajo do të fitohej nga kompania Gjoka. Në verën e këtij viti, rruga e re që në total pritet të kushtojë mbi 55 milion euro, u hap për të favorizuar pushuesit, ndërkohë që punimet nuk kanë përfunduar plotësisht.

Përplasja në 2019 për garën e ndërtimit të tunelit, solli dhe dorëheqjen e zonjës Qato nga detyra, ndërsa tani, sipas prokurorisë së posaçme, në veprimtarinë e saj, janë gjetur elementë të veprës penale. Zonja Qato nuk preferoi të bënte komente mbi akuzën e ngritur ndaj saj.

Pak ditë më parë, Prokuroria mori të pandehur dhe Elona Gogon, ish kryetare e Komisionit të Vlerësimit të ofertave për tenderin e tunelit të rrugës Kardhiq – Delvinë.

(Armand Mero, Zëri i Amerikës)