DioGuardi: Bibloteka ime në New York, një amanet për trashëgiminë shqiptare në Kosovë
Nga Beqir Sina
Në një ceremoni plot emocione të mbajtur në Yonkers, Nju Jork, me rastin e 85-vjetorit të lindjes së ish-kongresistit amerikan Joe Dioguardi dhe 75-vjetorit të bashkëshortes së tij, Shirley, u shpall një gjest i jashtëzakonshëm: dhurimi i bibliotekës personale të Dioguardi-t për Bibliotekën dhe Muzeun Kombëtar në Prishtinë.
Ky akt simbolik, i mbështetur nga çifti Dioguardi, është një testament i përkushtimit të tyre ndaj trashëgimisë shqiptare dhe një urë miqësie mes shqiptarëve dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i pranishëm në këtë ngjarje, vlerësoi rolin historik të çiftit Dioguardi në mbështetjen e çështjes shqiptare.
“Në një kohë kur bota heshtte për vuajtjet e shqiptarëve në ish-Jugosllavi, Joe Dioguardi, u bë zëri i tyre i palodhur në Uashington,” tha Kurti.
Ai theksoi se, së bashku me Shirley-n, Dioguardi ndihmoi në sensibilizimin e administratave amerikane për gjenocidin në Kosovë, duke luajtur një rol vendimtar në mbështetjen e pavarësisë dhe mbrojtjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Veprat e tyre janë dëshmi se çfarë mund të arrijnë dy njerëz të udhëhequr nga ndërgjegjja dhe dashuria për drejtësi,” shtoi Kurti.
Joe Dioguardi, ish-kreu i Ligës Shqiptaro-Amerikane, rrëfeu me emocion se si ka mbledhur për 40 vjet një koleksion të çmuar me fotografi, video, shkrime, dhe dhurata nga Kosova, Shqipëria, Lugina e Preshevës, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Çamëria, dhe udhëtimet e tij globale, nga Uashingtoni deri në Australi.
“Gjithçka duhet të kthehet aty ku e ka origjinën, në një muze të madh në Prishtinë, që shqiptarët e rinj të njohin sakrificat e bëra për popullin shqiptar,” deklaroi ai.
Ai ndau një kujtim të vitit 1990, kur hyri fshehurazi në zyrën e Sllobodan Millosheviçit dhe mori një fotografi me portretin e Titos mbi kokë, një simbol i guximit të tij për të sfiduar shtypjen.
Fjalët e babait të Dioguardi-t, një arbëresh nga Kalabria, tingëlluan si një amanet: “Joe, ke një zë të fortë. Këta janë njerëzit tanë. Jepu zërin tënd.” Ky zë, tha Dioguardi, mbetet i fortë edhe sot, dhe bashkë me Shirley-n, ata janë të përkushtuar për të ndërtuar ura të reja miqësie mes SHBA-së dhe shqiptarëve.
Biblioteka e dhuruar duket se do të shërbejë si një kujtesë e gjallë për brezat e rinj, duke i nxitur të nderojnë sakrificat dhe të ndërtojnë një të ardhme ku trashëgimia shqiptare lulëzon.
Ngase ky dhurim nuk është thjesht një koleksion materialesh, por një ftesë për të rinjtë shqiptarë që të eksplorojnë historinë e tyre dhe të forcojnë lidhjet me aleatin e tyre më të madh, SHBA-në.
Siç tha Dioguardi, “Kjo është për popullin e babait tim – dhe për të ardhmen e të gjithë shqiptarëve.”