Ish-krerët e UÇK-së presin që Gjykata Speciale të gjykojë drejt dhe t’i shpallë të pafajshëm

Hagë, 18 shkurt 2026 – Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi – kanë mbajtur sot fjalët e tyre përfundimtare para trupit gjykues të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Të gjithë i kanë hedhur poshtë akuzat për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit të ngritura kundër tyre nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, duke i cilësuar si të pabaza.

Ashtu sikurse edhe avokatët e tyre, ata kërkuan nga trupi gjykues që të spallen të pafajshëm për të gjitha akuzat të cilat u ngarkohen nga prokuroria, pa dëshmi e prova të qëndrueshme.

Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi thanë se ka prova të panumërta se strukturat shtërore të Serbisë kanë kryer në Kosovë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa lufta e Ushtrisë ÇLimitare të Kosovës ka qenë luftë legjitime kundër akteve gjenocidale të regjimit të së Sllobodan Millosheviqit.

 Ish-krerët e Ushtrisë ÇLimitare të Kosovës janë shprehur besimplotë se trupi gjykues i Dhomave të Specializuara të Kosovës do të gjykojë drejt dhe do të vendosë në vend drejtësinë, më në fund.

Pas deklaratave përmbyllëse të Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit, kryegjykatësi Charles Smith III e shpalli të mbyllur çështjen gjyqësore kundër tyre. Ai tha se në muajt në vijim do të jetë në kontakt me palët lidhur me datën e shpalljes dhe rishikimit të aktgjykimit në këtë rast.

Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit.

Thaçi: “Është vetëm një e vërtetë. Unë jam plotësisht i pafajshëm”

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, mbajti sot fjalën përfundimtare të tij para trupit gjykues të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, duke theksuar se ai është plotësisht i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Në fillim të fjalës së tij, Thaçi u uroi qytetarëve të Kosovës 18 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, e pastaj i hodhi poshtë akuzat e ngritura kundër tij.

““Të nderuar gjyqtarë, për gati tri vite në këtë sallë të gjyqit i keni dëgjuar akuzat e Prokurorisë dhe argumentet e mbrojtjes. Ju i keni parë faktet, ju e keni dëgjuar të vërtetën. Është vetëm një e vërtetë: akuzat nuk qëndrojnë. Unë jam plotësisht i pafajshëm”, theksoi ai që në fillim.

Thaçi i hodhi poshtë pretendimet e Prokurorisë së ia ka pasur qëllime ta merrte kontrollin në Kosovë, duke thënë se asokohe studionte në Zvicër.

“Në kohën e masakrave në Qirez, Prekaz e Likoshan në fillim të vitit 1998 unë isha student në universitetin e Zurihit, dhe atëherë nuk po bëja plane për ta marrë kontrollin në Kosovë, por për t’i kaluar provimet”, tha Thaçi.

Ai shtoi se “i vetmi njëri që po bënte plane morbide ishte Sllobodan Millosheviqi, për një gjenocid të ri në Kosovë. Prandaj, si shumë qytetarë të tjerë kosovarë edhe unë u detyrua ta lëshoja Kosovën më herët, sepse më ndiqte regjimi i Millosheviqit”.

Thaçi gjithashtu shprehu keqardhje për viktimat e luftës në Kosovë.

“Unë bashkëndiej dhe shpreh keqardhje për të gjitha viktimat që kanë pësuar në Kosovë, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike”, theksoi ai.

Thaçi i kundërshtoi të gjitha akuzat e Prokurorisë. Ai tha se e vërteta është e kundërta e asaj që ka thënë prokuroria dhe se masovizimi i UÇK-së u bë për shkak të krimeve të kryera në Kosovë nga forcat shtetërore të Serbisë së Sllobodan Millosheviqit.

“Kjo Prokurori më thuri shumë lavde e më ndau shumë tituj e grada, por e vërteta është krejt tjetër. Unë nuk isha ai që e transportova rezistencën nga Perëndimi në Kosovë, unë iu bashkova rezistencës në Kosovë. Nuk ishte kthimi im nga Perëndimi pse UÇK-ja po masivizohej. Arsyeja ishte Millosheviqi”, tha ai.

“Askush nuk e ka thënë këtë më bukur sesa ish-sekretarja e Shtetit e SHBA-së, Madeleine Albright. Citoj: ‘Millosheviqi me sjelljet e tij ndaj popullit të Kosovës është rekrutuesi më i madh i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës’”, theksoi Thaçi.

Ai tha se UÇK-ja nuk ishte ushtri e organizuar e një shteti, por ishte një organizim popullor që po mbrohej nga një shtet agresor.

“Fakti që UÇK-ja nuk ishte organizuar ashtu siç Prokuroria pretendon se ishte nuk e zbeh aspak rolin e saj për lirinë e Kosovës, nuk e bën kauzën e saj për çlirim më pak fisnike e as arritjen e pavarësisë më pak historike. Fitorja e Kosovës ishte më shumë politike e diplomatike. Suksesi më i madh i Kosovës ishte bashkëpunimi i plotë dh besimi me Perëndimin. Ata na ndihmuan pikërisht sepse e dinin se kush ishin dhe çfarë qëllimi kishin. Unë me asnjë çmim, në asnjë rrethanë, nuk do ta rrezikoja këtë aleancë me asgjë në këtë botë, sepse ashtu do ta rrezikoja vetë lirinë e Kosovës dhe ekzistencën tonë kolektive”, theksoi ai.

“Synimi ynë ishte paqja, e jo lufta”, theksoi Thaçi.

Ai mohoi kategorikisht se UÇK-ka kishte qëllim marrjen e kontrollit në Kosovë.

“Si mund të pretendojë dikush që ne kishim për qëllim ta merrnin kontrollin në Kosovë kur ne pranuam që bashkësia ndërkombëtare të kishte fjalën kryesore në Kosovë dhe pastaj që UÇK-ja t’ia dorëzonte armët NATO-s, ashtu sic ndodhi”, tha ai.

Ai tha se pas përfundimit të luftës kishte punuar bashkë me Misionin e Përkohshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) dhe me dhe partitë e tjera politike në Kosovë, siç u shpreh, “për të ndihmuar zbatimin e mandatit të tij [UNMIK-ut] në të mirë të popullit të Kosovës”.

Thaçi theksoi se ai gjithmonë ka qenë bashkëpunues dhe se qëllim i tij ka qenë ndërtimi i një shoqërie tolerante dhe shumetnike në Kosovë.

“Të nderuar gjyqtarë, siç e keni parë edhe gjatë gjykimit tim, unë e përdora zërin tim për ta promovuar një shoqëri shumetnike, tolerante në vendin tim, në Kosovë. Unë u bëra thirrje serbëve lokalë të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe të ndërtojnë një të ardhme me ne. Edhe serbët, sikurse ne, ishim viktima të Millosheviqit”, theksoi ai.

Thaçi kujtoi se Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë janë themeluar pas miratimit të raportit të ish-senatorit zviceran, Dick Marty, për gjoja trafikim me organe. Ai tha se ky raport ishte produkt i propagandës serbe dhe ruse.

“E vërteta e atij raporti është se propaganda ruse dhe serbe e manipuloi Dick Martyn. Ai ra viktimë e fushatës së tyre. Ata e ushqyen me informacione të rreme dhe në fund tentuan ta vrisnin për të na fajësuar neve”, tha Thaçi.

Ai tha se qëllim i raportit ishte diskreditimi i shtetit të Kosovës.

Veseli: Besoj se kjo gjykatë do të mbrojë të drejtën dhe drejtësinë

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në fillim të fjalës së tij përfundimtare i bëri thirrje trupit gjykues që ta mbrojë “drejtësinë, të drejtën dhe paanësinë”.

Veseli tha se ka qenë pikërisht besimi në drejtësinë ajo që e ka shtyrë t’i bashkohet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai theksoi se edhe në momentet më të errëta nuk e kishte humbur besimin se e drejta dhe drejtësia do të triumfonin.

“Kam besuar që populli i Kosovës e kishte të drejtën për të jetuar në liri e dinjitet. Kurrë nuk kam besuar që dhuna, urrejtja e hakmarrja mund të jenë udhërrëfyes të ndershëm. Liria nuk mund të arrihet përmes padrejtësisë e as paqja nuk mund të ndërtohet mbi krim. Familja ime dhe unë kemi jetuar në persekutim të vazhdueshëm të shtetit serb. Ky nuk është përshkrim abstrakt por realitet që ka prekur çdo anëtarë të familjes time por edhe çdo qytetar. Unë e di çfarë do të thotë të jesh i pambrojtur e të jetosh në kërcënim të vazhdueshëm. Por në padrejtësi, njeriu duhet të ruaj integritetin moral dhe vlerat themelore humane. Pas dekadash hetimesh, nuk ka asnjë provë që tregon se kam kryer ndonjë krim. Nuk është provuar asnjë krim i kryer nga ana ime”, ka thënë ai.

Veseli theksoi se është Serbia e Millosheviqit ajo që ka kryer krime në Kosovë.

“E vërteta e asaj që po ndodhte tashmë dihet botërisht. Serbia dhe Millosheviqi kërkonin kontrollin mbi gjithë popujt e ish-Jogusllavisë. Unë jam larguar nga Kosova, kam qenë i detyruar. Po,r derisa unë jetoja në një vend të lirë, vendi im po përballej me vuajte të thella. Shqiptarët në Kosovë nuk mund të jetonin lirshëm”, u shpreh ai.

Ai tha se Prokuroria e Specializuar nuk arriti të dëshmojë se ai ka kryer ndonjë krim, siç thuhet në aktakuzën kundër tij.

“Pas dekadash hetimesh dhe dëshmish të panumërta, nuk ka asnjë provë që të tregojë se kam kryer ndonjë krim. Nuk është provuar asnjë veprim i kundërligjshëm nga ana ime. Kjo nuk është çështje interpretimi por çështje fakti”, theksoi ai.

Veseli theksoi se ai ka ndërgjegjjen e pastër dhe se veprimet e tij kanë qenë “njerëzore dhe ligjore.

“Synimi im ishte i qartë, të kontribuoja për lirinë dhe drejtësinë e popullit tim, por pa i bërë padrejtësi askujt”, tha ai.

“Krijimi i kësaj gjykate dhe funksionimi i saj është rezultat i një debati të gjerë në vendin tim. Por ajo çka duhet të dalë nga kjo është paanshmëria. Unë qëndroj  në këtë proces me bindje se  e vërteta nuk ka arsye të ketë frikë nga drejtësia. Drejtësia mund të vonohet, por nuk mohohet kurrë. Kam vepruar me këtë bindje dhe unë e di kush jam, Unë e di çfarë kam bërë dhe çfarë nuk kam bërë. Ndërgjegjja ime është e pastër”, theksoi Veseli në fjalën e tij përfundimtare.

Selimi: Historia s’mund të rishkruhet, armët për ne ishin mbijetesë

Edhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Rexhep Selimi, i hodhi poshtë të gjitha akuzat e ngreitura kundër tij nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

“Rrjedha e deritashme e procesit gjyqësor më ka dhënë të drejtë se akuzat ndaj nesh janë tërësisht të pabazuara dhe të padrejta”, tha ai.

“Edhe pse kanë kaluar tri vjet nga fillimi i këtij procesi, Prokuroria ka vazhduar në pretendime që nuk kanë bazë në të vërtetën dhe në një përpjekje të vazhdueshme për ta njollosur një luftë që në thelb ishte çlirimtare”, shtoi ai.

Selimi theksoi se ajktakuza kundësr tij dh eish-bashkëluftëtarëve shpir në përfundimin e Zyra e Prokurorit të Specializuar e ka vënë në shënjestër edhe qëllimin përfundimtar të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – pavarësinë e Kosovës.

“Megjithëse Prokuroria që në fillim të paraqitjes së fjalës përfundimtare tha se nuk kërkon dënimin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, gjatë gjithë kohës shënjestër e saj ishin Shtabi, UÇK dhe në veçanti qëllimi i saj, që ishte pavarësia e Kosovës”, theksoi ai.

“Madje krijohej përshtypja se vetë pavarësia po trajtohej si një qëllim i përbashkët kriminal. Në përpjekje për ta ngarkuar me përgjegjësi Shtabin e Përgjithshëm, Prokuroria mbajti qëndrime akuzuese si ‘Shtabi i Përgjithshëm kërkonte pavarësi’ apo ‘Shtabi i Përgjithshëm deklaroi se nuk do ta mbështeste autonominë’. Është e vështirë të kuptohet se kundër kujt realisht është ngritur kjo aktakuzë, kundër nesh për veprime konkrete apo kundër nesh sepse luftuam për pavarësinë e Kosovës. Këtë duhet ta vlerësoni ju trup gjykues”, theksoi ai.

Selimi tha se historia e Kosovës është një dhe e patjetërsuershme dhe theksoi se ajo nuk mund të rishkruhet në një sallë gjyqi.

“Serbia kurrë nuk e fshehu qëllimin e saj ndaj shqiptarëve. Prandaj pyes sërish: Çfarë duhet të bënim ne? Të prisnim radhën për t’u vrarë, apo të iknim nga shtëpitë tona? As njërën dhe as tjetrën. Duhej të rezistonim, prandaj besova që Kosova kishte nevojë për vetëmbrojtje. Kishte nevojë për një si Adem Jashari dhe si UÇK-ja, prandaj iu bashkova UÇK-së. UÇK-ja nuk u krijua nga dëshira por nga nevoja. Ishte reagim ndaj dhunës sistematike. Nuk ishte aventurë, ishte mbijetesë. Për mua të qenit bashkëluftëtar i Adem Jasharit është nderi më i madh. Po, kam bartur armë. Armët për ne ishin mbijetesë. Shumë nga bashkëluftëtarët kanë vdekur duke i siguruar ato. UÇK-ja nuk kishte qëllim tjetër përveç lirisë. UÇK ishte ushtri çlirimtare”, u shpreh Selimi. 

“Edhe sot do ta bëja të njëjtën gjë”, theksoi ai.

Selimi tha se akuzat kundër tij janë të pabazuara dhe të padrejta. Ai theksoi se shpreson se gjykimin ndaj tij e sheh si “një mundësi për drejtësi”.

“Këto pesë vjet s’kanë qenë të lehta për ne, por as të parëndësishme për historinë e vendit tim. Le të shërbejë si qëllim për drejtësi. Shpresoj që trupi gjykues ta ketë pasur kohën e mjaftueshme për ta kuptuar që lufta jonë ishte e drejtë, dhe pretendimet e Prokurorisë nuk qëndrojnë. Rrjedha e procesit më ka dhënë të drejtë. Akuzat ndaj nesh janë të pabazuar dhe të padrejta”, tha ai.

Sipas tij, Prokuroria, përmes aktakuzës kundër katër ish-drejtuesve të UÇK-së është përpjekur të shkaktojë “përçarje” mes forcave politike në Kosovë dhe ta barazojë UÇK=në me Serbinë.

“Prokuroria është përpjekur të na përçajë. Në Kosovë nuk ka pasur asnjë parti që nuk e donte pavarësinë dhe, rrjedhimisht, që e mbështesnin autonominë nën Serbi. Prokuroria po përpiqet të na ndajë neve shqiptarëve mes veti dhe ta barazojë UÇK-në me Serbinë”, ka deklaruar ish-shefi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Selimi tha se shpreson se gjykimin ndaj tij e sheh si “një mundësi për drejtësi”.

“Pas gjithë këtyre viteve, ka edhe një element pozitiv, shpresoj se trupi gjykues e ka pasur kohën e mjaftueshme për ta kuptuar se lufta jonë ishte e drejtë dhe se pretendimet e Prokurorisë nuk qëndrojnë”, tha Selimi.

Jakup Krasniqi: Më janë mohuar të drejtat e njeriut

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, e nisi fjalimin e tij përmbyllëse duke thënë se “tërë jetën time e kam kaluar i udhëhequr nga bindja se qeniet njerëzore meritojnë të jetojnë në liri”.

“Qëndroj para jush jo si një kriminel siç më paraqet aktakuza e Prokurorisë, por si një njeri i lindur dhe i kalitur në luftëra për dinjitet njerëz, në një popull që refuzoi që të zhdukej nga politikat e krimit dhe gjenocidit të Serbisë”, tha Krasniqi.

Krasniqi, 75 vjeç, e akuzoi Gjykatën Speciale se ia ka mohuar të drejtat e tij duke e mbajtur në paraburgim nga viti 2020.

“Për më shumë se pesë vjet, besoj se më janë mohuar të drejtat e njeriut nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ndër to më e rëndësishmja është e drejta për të jetuar në liri, veçanërisht e drejta e një njeriu në fundin e fazës së jetës së tij për të jetuar vitet e mbetura me dinjitet pranë familjes dhe në atdheun e lirë”, tha ai.

“Kjo më është bërë pa i shkaktuar padrejtësi askujt, pa ia rrezikuar jetën asnjë njeriu të vetëm. Përkundrazi, kam rrezikuar jetën time”.

Krasniqi i mohoi akuzat e Prokurorisë lidhur me të, duke thënë se i janë veshur role, autoritet dhe përgjegjësi “që nuk i kam pasur kurrë”.

“Kjo është shpifje. Figura e përshkruar në dokumentin e Prokurorisë nuk është njeriu që qëndron sot para jush”, tha Krasniqi.

“Unë nuk zotëroja pushtetin, komandën apo funksionet që m’u atribuohen në këtë rast. E gjithë bota e di se NATO-ja ndërhyri kundër krimeve të kryera ndaj shqiptarëve në Kosovë. NATO-ja dhe bota demokratike nuk janë rreshtuar kurrë përkrah terroristëve”, nënvizoi ai.

Ai nguli këmbë se veprimet e tij dhe ato të UÇK-së, si gjatë luftës, ashtu edhe pas saj, i “dhanë përparësi paqes dhe kjo është dëshmuar”.

“Ne qëndrojmë sot këtu padrejtësisht”, përfundoi ai.

(r.m.)