Paris, 30 tetor 2025 – Ish-kryeministri i Izraelit Ehud Olmert tha se Rripi i Gazës është pjesë e Palestinës.
“Gaza është pjesë e Palestinës. Nuk është pjesë e Izraelit”, tha Olmert të mërkurën, në sesionin me titull “Nga armëpushimi në paqe të qëndrueshme: Drejt një zgjidhjeje me dy shtete”, të Forumit të 8-të të Paqes në Paris, i cili filloi në kryeqytetin e Francës, Paris.
Ai tha se qeveria e re që do ta kontrollojë Gazën duhet të jetë palestineze.
Olmert gjithashtu theksoi nevojën për një “horizont politik” për popullin palestinez.
“Ne duhet të përpiqemi për këtë dhe të dëshirojmë që ta arrijmë atë”, tha ai.
Olmert e akuzoi qeverinë aktuale të Benjamin Netanyahut se synon zhvendosjen me dhunë të popullatës palestineze.
“Kjo është një qeveri me ambicie mesianike dhe imagjinare dhe me një filozofi që synon çmontimin dhe zhvendosjen e popullatës palestineze. Kjo qeveri dëshiron t’i arrijë këto ambicie me forcën e armëve”, tha Olmert, citon “Le Soleil”.
Ai shtoi se kabineti i udhëhequr nga Netanyahu nuk është përfaqësues i popullsisë izraelite, mijëra prej të cilëve kanë demonstruar për dy vjet kundër veprimeve të qeverisë aktuale.
Olmert shprehu bindjen se Netanyahu do të humbë zgjedhjet e planifikuara për tetor të vitit 2026, pasi ambiciat e mbështeten nga një pjesë e vogël e popullsisë izraelite.
“Nuk e di kush do ta udhëheqë qeverinë e ardhshme në tetor të vitit të ardhshëm, por ambiciet mesianike të qeverisë aktuale mbështeten vetëm nga një pjesë e vogël e popullsisë izraelite”, shtoi ai.
(r.m.)