Ish-kryetari i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, dënohet për herë të dytë për pronat në bregdet

Tiranë, 30 korrik 2025 – Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë vendosi, të mërkurën më 30 korrik. E shpalli ish-kryetariin e Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, fajtor për shpërdorim detyre të kryer më shumë se një herë dhe në bashkëpunim, dhe e dënoi me 2 vjet burgim. Por, me aplikimin e gjykimit të shkurtuar, ai përfiton ulje të dënimit për një të tretën, që do të thotë se ai duhet të vuajë një 1 vit e 4 muaj heqje lirie. Gjykata ia shqiptoi Goros edhe dënimin plotësues – heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare.

Ky është dënimi i dytë ndaj Goros për abuzimet me pronat në bregdet. Në këtë hetim ai akuzohet se ka kryer veprime të kundraligjshme në cilësinë e kreut të Bashkisë së Himarës lidhur me procedurat e plotësimit të akteve të marrjes së tokës bujqësore në pronësi për familjet bujqësore, në dëm të disa shtetasve, banues në Bashkinë Himarë.

Gjykata ka gjetur fajtor edhe ish-drejtorin e Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës pranë Bashkisë Himarë, Vasillaq Strakosha, i akuzuar për shpërdorim detyre të kryer më shumë se një herë dhe në bashkëpunim. Për Strakoshën u caktua dënimi me 1 vit e 6 muaj burgim, që në aplikim të gjykimit të shkurtuar mbetet 1 vit. Për Strakoshën u vendos pezullimi ui ekzekutimit të dënimit me burgim dhe vendosja në shërbim prove për 2 vjet. Edhe këtij të pandehuri iu hoq e drejta për të ushtruar funksione publike për 5 vjet.

Prokurori Elvin Gokaj kërkoi gjatë konkluzioneve përfundimtare që veç deklarimit fajtor dhe dënimit të pandehurve, të vendosej edhe kthimi i praktikave të sekuestruara institucioneve përkatëse, ku në raste të tilla enteve publike u lind e drejta të fshijnë regjistrimin e AMTP-së të konstatuar me probleme dhe regjistrimin e saj në pronësisë shtetërore.

Lidhur me këtë kërkim, gjykata ka vendosur që praktikat e sekuestruara enteve përkatëse, të mbeten pjesë e fashikullit të gjykimit, për efekt të procedimit penal të ndarë ndaj të pandehurit Jerasimo Bashi.

Goro gjendet në burg prej marsit të vitit të kaluar, kur u arrestua si pjesë e një skeme tjetërsimi pronash në bregdet nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara, përmes miratimit të kalimit të një toke shtet në pronësi fundore të Artan Gaçit, bashkëshorti i deputetes Olta Xhaçka, i shpallur investitor strategjik nga qeveria “Rama”. Për këtë çështje, Goro u deklarua fajtor dhe u dënua më 13 mars me 2 vjet e 20 ditë burg.

(Reporter.al)