Tiranë, 14 nëntor 2024 – Deputetë të opozitës akuzuan ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqja se i kërcënoi në sallën e komisionit hetimor, ku u mbajt seanca e dytë maratonë me debate për procedurën e marrjes së dëshmisë së Beqjas. Marrja e dëshmisë dështoi, ndërsa palët fajësojnë njëra tjetrën.
Komisioni hetimor për koncesionet në shëndetësi u përfshi në orët e para të mëngjesit të së enjtes nga një incident ku ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja në pritje për të dëshmuar para këtij komisioni ka hyrë në sallë dhe ka tentuar të intimidojë deputetët e opozitës.
Në videon e transmetuar live nga Kuvendi shihet Beqja që hap derën e sallës, ku deputetët po debatonin mbi procedurën e dhënies së dëshmisë së tij, dhe i drejtohet deputetëve të PD-së me fjalët “mbylle gojën” dhe gjeste me duar.
Incidenti ka zgjatur vetëm pak sekonda pasi ai ka dalë sërish nga dera ndërsa deputetët e opozitës kanë kërkuar që policia dhe garda të mbajnë përgjegjësi për këtë incident dhe për lënien e tij të lirë në ambientet e Kuvendit.
Beqja prej dy ditësh ka pritur me dhjetëra orë prapa derës së komisionit hetimor për të dëshmuar ndërsa deputetët e dy krahëve debatonin nëse kjo dëshmi duhej të bëhej sipas kërkesës së Beqajt me materiale vizuale. Opozita e quan këtë kërkesë një tentativë për të bërë spektakël, ndërsa socialistët e mbështesin si të drejtë të dëshmitarit.
Dëshmitarët si rregull futen në sallë vetëm kur thirren nga komisioni për të nisur dëshminë e tyre.
Të enjten në mëngjes kryetarja e Komisionit Albana Vokshi e quajti incidentin si “një ngjarje e rëndë” dhe akuzoi për mosveprim Policinë e Burgjeve, që sipas saj, “refuzoi të largonte Ilir Beqjan për ta kthyer në burg”.
Deputetja Ina Zhupa, tha të enjten në seancën parlamentare se Beqaj kërcënoi opozitën.
“Vinte dhe na kërcënonte neve me “mbylle gojën”, “qepe ti”, “ta tregoj unë ty” dhe ne duhet të vazhdojmë këtu normalitetin mbasi nuk kemi siguri në Parlament, pasi ju drejton Ilir Beqja”- deklaroi ajo.
Ndërsa vetë Beqja në një reagim të shpërndarë nga paraburgimi mohoi që të kishte kërcënuar deputetët e opozitës por e quajti ndërhyrjen e tij një tentativë për të mbrojtur vetën nga përbaltja që po i bëhej në komision.
“Në ate orë të natës, duke qëndruar pranë sallës së mbledhjes në pritje për të dëshmuar dhe duke ndjekur punimet e komisionit kam dëgjuar deputeten Zhupa që, sikur unë të isha send, kërkonte që meqë kishte kaluar ora 24 e datës 13 nëntor të kthehesha në qeli…”- thotë Beqja duke shtuar se hyrja në komision ka qenë për të treguar revoltën e tij.
“Edhe nëse jam i paraburgosur nuk pranoj të më fyejnë dhe të më marrin nëpër këmbë”- shkruan më tej ish-ministri i Shëndetësisë.
Beqja është i arrestuar me akuzën për “shpërdorim detyre” lidhur me abuzimin me fonde të Bashkimit Europian, ndërsa është duke u hetuar dhe për dhënien e koncesionit për sterilizimin e mjeteve kirurgjikale.
Ky koncesion është kontrata më e shtrenjtë e partneritetit publik privat e qeverisë ‘Rama‘ në sektorin e shëndetësisë, e cila u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë rreth 76 milionë euro deri në fund të vitit 2022 dhe sipas hetimit të Prokurorisë së Posaçme është dhënë në kushtet e konfliktit të interesit, shpërdorimit të detyrës dhe manipulimit të studimit të fizibilitetit.
Komisioni Hetimor për këtë kontratë dhe atë të Check-Up përfundoi afatin të enjten pa arritur të marrë në pyetje të gjithë dëshmitarët e kërkuar nga opozita. Shumica socialiste kundërshtoi thirrjen e kryeministrit Edi Rama dhe sipërmarrëses Vilma Nushi dhe po ashtu votoi kundër një shtyrje të re afati për punën e komisionit.