Ish-ministri Pal Lekaj dënohet me 3 vjet e 8 muaj burgim, për rastin e “53-milionëshit”
Prishtinë, 31 janar 2024 – Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Pal Lekaj, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri, të akuzuar në rastin e njohur i “53 milionëshi”. Të katër së bashku janë dënuar me 10 vjet e 3 muaj burigm.
Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, në cilësinë e këshilltarit të lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në MI dhe Besim Tahiri, si drejtor i Prokurimit Publik në MI, janë shpallur fajtorë për keqpërdorim të detyrës zyrtare në bashkëkryerje, për pagesën e 53 milionë eurove shtesë konsorciumit “Bechtel-Enka” për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi” nga Prishtina deri në Han të Elezit.
Pal Lekaj është dënuar me 3 vjet e 8 muaj burgim efektiv. Atij i është ndaluar ushtrimi i funksioneve publike në administratën publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 vjet e 6 muajsh.
Nebih Shatri është dënuar me 1 vit e 8 muaj burgim dhe me ndalim të ushtrimit të funksioneve publike në administratën publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 2 vjetësh.
Edhe Besim Tahiri është dënuar me 1 vit e 8 muaj burgim dhe me ndalim të ushtrimit të funksioneve publike në administratën publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 2 vjetësh.
Ndërsa, Eset Berisha është dënuar me 3 vjet e 3 muaj burgim.dhe me ndalim të ushtrimit të funksioneve publike në administratën publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 vjetësh.
Të pandehurit obligohen t’i paguajnë veç e veç shpenzimet e procedurës penale në emër të paushallit gjyqësor në shumë prej 300 eurosh dhe në emër të fondit për viktima të krimit në shumë prej 100 eurosh.
Në vitin 2018, Qeveria e Kosovës kishte ndarë 53 milionë euro shtesë për konsorciumin “Bechtel-Enka” për punimet e autostradës Prishtinë – Hani i Elezit, për shkak të, siç kishte thënë Qeveria, dështimit të ekzekutivit të mëhershëm që t’i paguajë me rregull faturat.
Pas debateve të nxitura dhe dyshimeve të ngritura nga partitë opozitare. kishin nisur hetimet lidhur me ndarjen e e kjësaj shume “Bechtel-Enkas”.
Më 2020, Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti, e shfuqizoi vendimin e qeverisë paraprake për zgjatje të afatit të kontratës për ndërtimin e autostradës. Me këtë vendim, Qeveria Kurti ndërpreu negociatat me konsorciumin turko-amerikan Bechtel-Enka për ndërtimin e lidhjeve të reja dhe të një mbikalimi në autostradë. Qeveria kërkoi gjithashtu që dikasteret përkatëse të bënin vlerësimin e dëmit të shkaktuar nga vendimi i shfuqizuar.
Ndërtimi i autostradës Prishtinë-Han i Elezit e gjatë 55 kilometra i ka kushtuar buxhetit të Kosovës 600 milionë euro.
(r.m.)