Zagreb, 2 shtator 2025 – Një ish-ministre e Kroacisë, e cila ishte dënuar për korrupsion, u dënua edhe për shpenzimin e mijëra eurove nga fondet e Bashkimit Evropian për darka luksoze.
Gabrijela Zalac, e cila ishte shkarkuar nga pozita e ministres për fondet e BE-së në vitin 2019, u dënua të martën me shtatë muaj burgim për veprën penale keqpërdorim i detyrës dhe autoritetit zyrtar, njoftoi Zyra Evropiane e Prokurorit Publik (EPPO).
Sipas EPPO-së, që ka kompetencë hetimin e keqpërdorimeve të fondeve të BE-së, ish-ministrja Zalac i kishte shpenzuar afër 10.000 euro në ristorante, në të paktën nëntë raste.
Mediat kroate raportuan se ajo kishte përdorur fonde të BE-së për t’i mbuluar shpenzimet e festimit të ditëlindjes së saj të 40-të.
Zalac, e cila ishte arrestuar për herë të parë në vitin 2021, e pranoi fajësinë për akuzat dhe e rimbursoi shumën e plotë të shpenzimeve.
Në qershor, ajo e pranoi edhe fajin për keqpërdorim të detyrës dhe për ndikim të paligjshëm lidhur me blerjen e një sistemi të ri të IT-së për ministrinë që e udhëhiqte ajo.
Zalac u dënua me dy vjet burgim për rolin e saj në keqpërdorimin e më shumë se 1.3 milion eurove dhe u pajtua të paguajë 200.000 euro si kompensim të pjesshëm të demit të shkaktuar.
(r.m.)