Prishtinë, 5 qershor 2025 – Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi të enjten me pesë vjet burgim dhe me 1.000 euro gjobë bashkëpunëtorin e Agjencisë të Inteligjencës dhe Sigurisë (BIA) të Serbisë, Aleksandar Vllajiq.
Vlajiq, i cili ka qenë pjesëtar i Policisë së Kosovë, në marrëveshje me Prokurorinë Speciale të Kosovës, e ka pranuar fajësinë për veprat penale: “spiunazh” dhe “armëmbajtje pa leje”.
Prokurori I Prokurorisë Seciale, Bekim Kodaliu, dhe avokati i të pandehurit, Lubomir Pantoviq, i kanë kërkuan gjykatës ta miratojë marrëveshjen për pranimin e fajësisë. Të dy palët kanë thënë se i pandehuri e ka pranuar fajësinë me vullnet të lirë dhe pa presion dhe se marrëveshja për pranimin e fajësisë si e tillë i plotëson të gjitha kushtet ligjore.
Edhe Vllajiq e ka konfirmuar arritjen e marrëveshjes për pranimin e fajësisë për të dy veprat penale. Ai është përgjegjur pozitivisht kur është pyetur nga gjyqtari nëse i kupton pasojat e pranimit të fajësisë.
Prokurori Kodraliu ka thënë se marrëveshja me Vllajiqin për pranimin e fajësisë është arritur në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, me Agjencinë Kosovare për Inteligjencë dhe me institucione të tjera të rendit e sigurisë.
“Sot në seancën gjyqësore është konfirmuar pranimi i marrëveshjes për pranimin e fajësisë për dy veprat penale nga i pandehuri ‘Spiunazh’ dhe ‘Armëmbajtje pa leje’. Kjo marrëveshje është arritur në bazë të bashkëpunimit të ngushtë me Policinë e Kosovës, me Agjencinë Kosovare për Inteligjencë dhe me institucione të tjera të rëndësishme. Vepra penale e spiunazhit cenon rendin juridik kushtetues, në rastin konkret ka rrezikuar edhe qytetarët e Kosovës”, ka thënë Kodraliu.
Prokurori Kodaliu dhe avokati Pantoviq kanë rekomanduar dënim me 4 vjet e 6 muaj burgim efektiv, duke marrë parasysh pranimin e fajësisë dhe pendesën e Vllajiqit.
Gjyqtari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Ngadhnjim Arrni, e ka miratuar marrëveshjen mes Prokurorisë dhe Vllajiqit.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, Aleksandar Vllajiq, ka mbledhur informacione sensitive për çështje të sigurisë në Kosovës, të cilat ia ka bërcjellë BIA-s serbe.
“I pandehuri, A. V. akuzohet se nga data e pacaktuar e deri në momentin e arrestimit, më dt. 26.6.24, në cilësinë e agjentit rezident, ka mbledhur dhe i ka dërguar Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Republikës së Serbisë informacione dhe dokumente të rëndësishme që cenojnë rendin kushtetues dhe sigurinë e Republikës së Kosovës, si dhe jetën e zyrtarëve shtetërorë dhe të qytetarëve të saj”, thuhej në aktakuzë.
Sipas aktakuzës, Vlajiq kishte krijuar një rrjet të të punësuarve të nacionalitetit serb, nga të cilët kishte pranuar informacione dhe raporte të punës së organizatave ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë. Gjithashtu, ka mbledhur informacione për persona të nacionalitet serb që t’i paraqiste si bashkëpunëtorë të strukturave të sigurisë së Kosovës.
Aleksandar Vllajiq, i cili ishte pjesëtar i Policisë së Kosovës, ishte arrestuar më 26 qershor 2024.
(r.m)