Ish-policit të Kosovës, Arbnor Spahiu, i zgjatet masa e paraburgimit në Serbi

Prishtinë, 9 korrik 2025 – Gjykata e Lartë e Suboticës ia ka zgjatur edhe një muaj masën e paraburgimit, Arbnor Spahiut, ish-zyrtar policor i Kosovës, njoftoi të mërkurën Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) e Kosovës.

Spahiu u arrestua më 7 qershor nga autoritetet serbe në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë, derisa po kthehej nga Austria në Kosovë me autobus, së bashku me familjen e tij.

Më 9 qershor, Gjykata e Lartë e Suboticës ia caktoi masën e sigurisë arrest me burg, në bazë të akuzës se ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë” në fshatin Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator 2023, kur një grup i serbëve të armatosur e culmoi Policinë e Kosovës, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se Spahiu nuk ka qenë pjesëtar i policisë në kohën kur ka ndodhur sulmi në Banjskë dhe se avokati mbrojtës i tij ia dërguar gjykatës dokumentet që e dëshmojnë këtë.

“Avokati ka njoftuar se i ka dorëzuar gjykatës të gjitha dokumentet përkatëse të lëshuara nga institucionet e Kosovës, përfshirë edhe dokumentacionet që dëshmojnë se Spahiu e kishte lënë Policinë e Kosovës vite përpara ngjarjes së Banjskës”, thuhet në njoftim.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 45 persona të përfshirë në sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, më 24 shtator 2023. Në mesin e të akuzuarve është edhe Millan Radoiçiqi, i cili ka pranuar se kanë qenë udhëheqës i grupit të armatosur që e ka kryer sulmin.

(r.m.)