Paris, 13 tetor 2025 – Ish-presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, pritet të nisë zyrtarisht vuajtjen e dënimit të tij më 21 tetor.
Mediat franceze raportojnë se sot Sarkozy u paraqit në gjykatë për të përcaktuar datën e hyrjes në burg, në një procedurë të veçantë që është ndjekur për shkak të statusit të tij si ish-kreu i shtetit francez.
Sipas raportimeve, ai do të vuajë dënimin në burgun “La Santé” në Paris, një institucion i sigurisë së lartë që përdoret për raste të veçanta, ku të dënuarit mbahen në izolim dhe nuk kanë kontakt me të burgosur të tjerë.
Menjëherë pas futjes në burg, Sarkozy ka të drejtën të paraqesë kërkesë për ta vuajtur dënimin jashtë burgut, përmes sistemit të mbikëqyrjes elektronike (me byzylyk elektronik).
Sarkozy, i cili ka shërbyer si President i Francës në periudhën 2007–2012, është dënuar me pesë vjet burg, pasi u shpall fajtor për komplot kriminal me qëllim sigurimin e fondeve të paligjshme për fushatën zgjedhore nga regjimi i Muamar Gadafit në Libi.