Ish-Presidenti i Kosovës Prof. Dr. Fatmir Sejdiu nderon Ali Pashë Tepelenën

Nga Keze Kozeta Zylo

Sot në një ditë shtatori me gumëzhitje nxënësish në oborret amerikane, kishja një ndjesi të mrekullueshme, tejet frymëzuese kur në mëngjesin rutinë pashë foton e hedhur nga znj. Shqipe Biba pranë monumentit madhështor të Ali Pashë Tepelenës. 

Para meje u shfaqën madhërishëm Pashallëku i Janinës, i Jugut ku sundimtari Ali Pashë Tepelena që i vuri kufirin tek thana Perandorisë më të madhe botërore në atë kohë Sulltanit, po aq dhe Presidenti i Kosovës Prof. Dr. Fatmir Sejdiu që bashkë me Ibrahim Rugovën dhe UCK-në i thanë stop gjenocidit serb dhe hitlerit të ballkanit sllobodan milloshevic. 

Historitë ngjajnë ndaj dhe shkruhen dhe bëhen frymëzim.  Si shqiptare aktive në Diasporë, por mbi të gjitha si qytetare e lindur në Tepelenë m’u ngazëllye shpirti, kur pashë një President të Kosovës pranë Ali Pashë Tepelenës shoqëruar nga bashkëshortja e tij fisnike, zonja Nezafete Sejdiu, znj. Shqipe Biba aktivistja e shquar e Kombit, themeluesja e Organizatës “Motrat Qiriazi”, dhe bashkëshorti i saj z. Safet Biba një tjetër atdhetar i flaktë. 

Pra sot ne Tepelenë, pranë monumentit të Ali Pashë Tepelenës nderuan një ndër figurat më të rëndësishme kombëtare, Burri i ndritur i Kombit prof. Dr. Sejdiu bashkë me familjen e tij atdhetare.

Ndërsa pashë foton si një vullkan i fuqishëm më erdhën plot ngjarje historike, por e pamundur të ndahesha nga kënga labe që e kam në indet e shpirtit kur i këndojnë Aliut si psh grupi i Fterrës në Sarandë si:

Ali Pasha i kalave,

Që mbete nëpër legjenda,

E kish rritur balli i grave,

Hankua nga Tepelena.

Burri shqiptar i Kosovës erdhi pa bujë në Tepelenë, thjesht, plot dashuri dhe respekt për historinë kombëtare.  Natyrshëm po ta dija do ta kishim mirëpritur Presidentin Sejdiu ashtu siç respekton populli i Tepelenës, do i kishin dhuruar lule nxënësit, sepse ka një jetë në auditoriume, do ishte mirëpritur nga Bashkia e Tepelenës si President i Kosovës pas Ibrahim Rugovës Gandit të shqiptarëve.  Qershia mbi tortë do të ishte një këngë labe që aq shumë këndohet në festa, dasma, sidomos kur e intepreton super artisti Ylli Baka, por po aq këndshëm më vjen dhe zëri shoqërues i Shqipes si:

Koka në Stamboll,

Trupi në Janinë,

Të shtrinë Ali Pasha,

O Pasha të shtrinë.

Se një varr i vetëm,

S’ta nxë dot lavdinë,

Të shtrinë Ali Pasha,

O Pasha të shtrinë.

Ja aty pranë Sundimtarit të Janinës, që e ruajti me nder e lavdi (që sot mjerisht është në duart e Greqisë), erdhi Presidenti Sejdiu.  Ali Pashë Tepelena që i ka sytë nga Beçishti, vendlindja e tij dhe e të parëve, Hysot, duket sikur kundron Vjosën lumin më të egër në Europë si dhe urën e famshme të Beçishtit, erdhi pranë tij një atdhetar që luftoi për mbrojtjen e Kosovës.  Ali Pashë Tepelena luftoi kundër hordhive turke, donte të bashkonte principatat shqiptare, por e pamundur, ndërkohë dhe presidenti Sejdiu gjithmonë ka thënë se zgjedhja ideale për Kosovën do të ishte bashkimi me Shqipërinë.  Formula ime sot, nesër edhe pasnesër është që: Zgjedhja ideale për shqiptarët do të ishte bashkimi. 

Kam pasur fatin ta takoj në zyrën presidenciale që në vitin e parë të Lirisë në Kosovë, më 2008, kur Presidenti Sejdiu ishte në detyrë. 

Takimi me Presidentin e shtetit më të ri në botë, z.Fatmir Sejdiu, ishte një takim i përzemërt, miqësor, një takim që i shprehnim mirënjohjen dhe dashurinë e pakufishme për Kosovën, popullin e saj, dhe burrin e madh të Kombit shqiptar, Ibrahim Rugovën.

Mbi oxhakun përballë zyrës, shndrisnin dy simbolet e Kombit shqiptar: Ibrahim Rugova dhe Nënë Tereza!

Presidenti Sejdiu është shumë i vlerësuar dhe respektuar në bazë të meritave të tij.

Arizona State University (ASU) promovoi për herë të parë ndarjen e Çmimit:

“Distinguished Global Leadership” (Lidership Global i Dalluar) duke e dhënë këtë çmim për Presidentin e Republikës së Kosovës Prof. Dr. Fatmir Sejdiun.

Ka publikuar shumë punime shkencore nga fusha juridike, historike dhe juridike kushtetuese. Është autor librash të veçantë nga këto fusha.

Dr.Fatmir Sejdiu punoi si profesor në Fakultetin Juridik dhe atë të Shkencave Politike të Universitetit të Prishtinës.

Prof. Dr. Fatmir Sejdiu ka lindur, më 23 Tetor 1952 në Pakashticë të Podujevës. 

Presidenti Sejdiu rrezaton një kulturë të lartë komunikimi, të imponon një respekt të veçantë.

Presidentja e tanishme e Kosovës znj. Vjosa Osmani ka qenë shefe e kabinetit të Presidentit Sejdiu.

I kam lexuar shkrimet, dëgjuar nëpër intervista, por ajo që më ka bërë gjithmonë përshtypje ka qenë modestia me kokën plot.  Kemi shumë se ç’të mësojmë nga këto figura të shquara kombëtare.

Ne kemi qenë shumë të nderuar si TV dhe Shkolla Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit që kur festuam 13 Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës me një koncert artistik në Online në kohë pandemie ai përshëndeti nga Kosova.  Ndërsa mbesa e tij, nxënëse pranë kësaj shkolle Yllza e bukur dhe e mençur intepretoi poezinë e shkruar nga gjyshi.

Presidenti Sejdiu së bashku me familjen e tij, erdhi si Shqiponjë nga Kosova në Tepelenë, në Jugun e vendit, erdhi dhe nderoi Ali Pashe Tepelenën për të cilin kanë shkruar shkrimtarë të shquar botërorë si Hygoi që e krahason me Napolon Bonapartin.

Në ‘Kujtime’ Ismail Bej Vlora shkruan “Pas një qëndrese burrërore Ali Pashës, Luani i Janinës, iu pre koka”. Në Enciklopedinë e tij Sami Frashëri thotë:  “Mençuria, zgjuarsia, shkathtësia, aftësia politike dhe shpirtmadhësia e Ali Tepelenës kanë habitur Europën.

Ai i tha Sulltanit “Ndal se Shqipëria ka Zot.”

Noli na thotë: “T’u shenjtërofshin kockat o Ali, se vetëm ti dije si t’u përgjigjeshe shqiptarëve të cilëve u pëlqen mëndja e tyre”.

Ndersa Faik Konica nje korife tjetër i letrave shqipe për Ali Pasha Tepelenën

në shkrimin titulluar “Ali Pasha i Tepelenës”, në shkurt 1902 në gazetën “Albania”, duke qortuar shqiptarët që shanin Ali Pashën, thekson:

“E pse të zemërohemi me zaptijet e mjerë që nuk e kanë kuptuar Ali Pashën? Për të njohur mirë jetën dhe punët e Ali Pashës duhen studjuar nja dhjetë libra inglisht, nja pesë a gjashtë greqisht dhe nja tre a katër frëngjisht, të cilat flasin për të… Vetëm një gjë duam t’u themi këtyre poturakëve: – Nuk themi se ju jeni shqiptarë të liq, por për emër të Perëndisë pse doni të gjykoni punëra që s’i dini?!”

“…Eshtë turp, në një kohë ku kombi shqipëtar zuri të pendohet për pa-udhësit’ e shkuara, në një kohë ku armiqtë tanë na bërtasin për ditë në faqe t’Evropës se kurrë nukë jemi përpiekur për lirimin t’onë, është turp, thom të ndodhen njerëz të lindur Shqipëtarë qi përpiqen të pakësojnë fytyrat  qi i dhanë çkëlqim Shqipërisë, në vënt që të përpiqen  të rëfejnë se fajet e atyre fytyrave ishin fajet e asaj kohe, po vlera ish vlera e tyre.

Është vërtet se, kur mendohem se ç’farë Shqipëtarë jan’ ata qi duan të mbulojnë me këlbaza emërin e luanit qi i vuri spatën Turqërisë, shpejt ngushëllohemi…”

Prane kalasë së Ali Pashë Tepelenës erdhi dhe u përul shkrimtari botëror Lord Byron.

Studiuesja e shquar dhe profesore ne NUY, Katherine Flamming në veprën e vet të mirënjohur e quan Aliun “Bonaparti Mysliman”.

Po e mbyll shkrimin tim duke ju shprehur mirënjohjen nga thellësia e zemrës, si shqiptare, tepelenase dhe si anëtare aktive e Diasporës në Amerikë!

Faleminderit Presidenti i Kosovës Prof. Dr. Fatmir Sejdiu!

Faleminderit zonja Shqipe Biba, Shqipe që punon dhe fluturon e lirë për Kombin!

8 Shtator, 2023

Staten Island, New York