Nju Jork, 13 prill 2023 – Ish-Presidenti Donald Trump mbërriti të enjten në zyrat e prokurorisë së Nju Jorkut, për të dhënë deponimin e tij të dytë, në betejën ligjore mbi praktikat e biznesit të kompanisë së tij. Avokatja e tij sinjalizoi se ai synon këtë radhë t’u përgjigjet pyetjeve, në vend që të zgjedhë të mos flasë bazuar në të drejtën e parashikuar në Amendamentin e Pestë të Kushtetutës amerikane.
“Presidenti Trump jo vetëm që është i gatshëm, por edhe mezi pret të dëshmojë përpara prokurores sot”, u shpreh të enjten avokatja e tij, Alina Habba, nëpërmjet një deklarate. “Ai vazhdon të jetë i vendosur në qëndrimin e tij se nuk ka asgjë për të fshehur, dhe dëshiron ta informojë prokuroren për suksesin e jashtëzakonshëm të kompanisë së tij me vlerë prej disa miliarda dollarësh”.
Takimi i ish-Presidentit Trump është me përfaqësuesit e zyrës së Prokurores Letitia James, e cila ngriti padi ndaj zotit Trump vitin e kaluar. Në padinë e saj pretendohet se zoti Trump dhe familja e tij mashtruan bankat dhe bashkëpunëtorët e biznesit, duke u dhënë atyre informacion fals, për vlerën financiare të pronave të tij, si hotelet dhe klubet e golfit.
Padia nuk ka lidhje me akuzat e ngritura ndaj zotit Trump nga prokurori i Manhatanit, ngritja e të cilave shënoi edhe rastin e parë në historinë e Shteteve të Bashkuara, që një ish-president, akuzohet për vepra penale.
Në një mesazh në mediat sociale të enjten, zoti Trump e quajti padinë “qesharake, ashtu si gjithë çështjet e tjera të Ndërhyrjes në Zgjedhje që janë ngritur ndaj meje”.
Ish-Presidenti Trump dhe avokatët e tij kanë thënë se paditë e prokurorëve të zgjedhur nga radhët e demokratëve janë të motivuara politikisht dhe të pabazuara në ligj. Ai dhe kompania e tij kanë mohuar të kenë shkelur ligjin. Prokurorja James nuk pranoi t’i përgjigjej pyetjeve për deponimin gjatë një konference për shtyp të mërkurën.
Ish-Presidenti Trump është takuar më parë me juristët e zyrës së Prokurores James më 10 gusht, por nuk pranoi t’u përgjigjej të gjitha pyetjeve, me përjashtim të disa pyetjeve procedurale, duke përmendur mbi 400 herë të drejtën e tij kushtetuese, bazuar në Amendamentin e Pestë të Kushtetutës amerikane, për të mos rrezikuar ligjërisht vetveten.
“Nëse dikush në pozicionin tim nuk do të përdorte Amendamentin e Pestë, do të ishte një budallallëk i vërtetë”, tha ai gjatë një seance të regjistruar me video dhe që u bë publike më vonë. Zoti Trump parashikoi se prokuroria do të përpiqej të ngrinte çështje penale bazuar tek përgjigjet e tij, nëse ai do t’i kishte dhënë ato.
“Një deklaratë apo një përgjigje që do të ishte sadopak jo e drejtë, qoftë edhe gabimisht, si p.sh. se ishte një ditë e bukur me diell, kur realisht ishte pak e vrenjtur, do të trajtohej nga strukturat e zbatimit të ligjit në një nivel që rrallë shihet në këtë vend, pasi unë e kam përjetuar këtë gjë”, tha ai.
Që nga ajo kohë, rrethanat kanë ndryshuar. Akuzat penale të ngritura nga prokurori i Manhatanit përqëndrohen tek mënyra se si kompania reflektoi në raportet e saj të brendshme pagesat për avokatin Michael Cohen, për punën e tij për të blerë heshtjen e personave që kishin patur marrëdhënie jashtëmartesore seksuale me zotin Trump, marrëdhënie për të cilat zoti Trump thotë se janë të sajuara.
Gjyqi për këtë çështje hetimore është planifikuar të fillojë në muajin tetor. Deponimi i së enjtes zhvillohet me dyer të mbyllura.
(Zëri i Amerikës)