Tiranë, 20 maj 2025 – Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar shpalli të martën më 20 maj vendimin për deklarimin fajtor të ish-kreut të Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka për korrupsion dhe ndikim të paligjshëm në çështjet penale që lidhen me dosjen e quajtur “Toyota Auris” të hetuar në Tiranë, si dhe në çështje të tjera penale të prokurorisë që ai drejtonte. Trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Erjon Çela, Bib Ndreca dhe Rudina Palloj, vendosi dënimin e Zarkës me 4 vjet burg dhe në aplikim të gjykimit të shkurtuar, u caktua masa përfundimtare me 2 vjet e 8 muaj heqje lirie. Po ashtu, u caktua edhe dënimi plotësues për heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për 5 vjet. Sipas gjykatës, Zarka është fajtor për korrupsion aktiv dhe pasiv në 2 raste dhe në tre raste të tjera për ushtrim ndikimi të paligjshëm.
Prokurori i çështjes, Klodian Braho kërkoi më 15 prill dënimin e Zarkës me 4 vjet e 6 muaj burgim dhe në aplikim të gjykimit të shkurtuar, masën përfundimtare me 3 vjet heqje lirie.
Dosja penale në ngarkim të Zarkës, ish-oficeres së policisë gjyqësore, Eriona Daupaj, avokatit Radovan Çela dhe biznesmenit Astrit Vladi, u dërgua për gjykim në fillim të muajit janar, ndërkohë që u nda çështja për të hetuar në vijim prokurorët, gjyqtarët apo funksionarët e tjerë të drejtësisë që dyshohet se lehtësuan akuzat për këto dosje. Hetimet ndaj Zarkës dhe të pandehurve të tjerë u nisën bazuar në të dhënat e administruara nga aplikacionet SKY ECC. Nga katër të pandehurit, fillimisht u ndalua vetëm prokurori Zarka dhe për ketë arsye gjykimi i tij u krye veçmas. Avokati Radovan Çela u vetëdorëzua pak kohe më parë, ndërsa dy të pandehurit e tjerë janë ende në arrati.
Sipas prokurorisë, u provua fakti se katër të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në disa raste, kanë ofruar dhe kanë premtuar përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim te funksionarë të drejtësisë; sipas episodeve dhe akuzave respektive për secilin prej tyre.
Në vitet 2019 – 2020 kur janë kryer veprimet e kundraligjshme, Zarka ka qenë në funksionin e prokurorit në Prokurorinë e Vlorës, e pandehura Eriona Daupaj ka qenë oficere e policisë gjyqësore në ish-Prokurorinë e Krime të Rënda dhe më pas në SPAK, ndërsa i pandehuri Radovan Çela ka qenë në cilësinë e mbrojtësit të shtetasit Alfred Vladi në çështjen “Toyota Auris” – procedim që u regjistrua pas bllokimit në portin e Durrësit në qershor të vitit 2018 të 3.4 milionë eurove të thata të fshehura në dy makina të përdorura dhe të importuara nga Belgjika.