Ish-shefi i CIA-s: Përfshirja e Evropës në luftën kundër Iranit – mundësi reale

Uashington, 3 mars 2026 – Ish-drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), gjenerali në pension David Petraeus, ka deklaruar se përfshirja e vendeve evropiane në operacionin ushtarak të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit është mundësi reale.

Në një intervistë për Euronews, Petraeus ka thënë se përfshirja e Evropës, veçanërisht në kapacitet mbrojtës, “do të kishte qenë e mençur që nga fillimi”, megjithëse theksoi se fillimisht nuk ishte supozuar se vendet evropiane do t’i bashkoheshin operacionit.

“Sa kam kuptuar, kjo çështje është diskutuar”, ka thënë Petraus, duke iu referuar mundësisë që shtetet evropiane të marrin pjesë edhe në një rol më ofensiv.

“Nuk e di nëse mund të parashikoj rezultatin, por fakti që po diskutohet tregon se sigurisht që është e mundur”, ka shtuar ai.

Sipas gjeralit amerikan në pension, vendet evropiane mund të luajnë rol domethënës në forcimin e mbrojtjes ajrore dhe kundër-raketore, sidomos pasi kundërpërgjigjja iraniane ka shkuar përtej Izraelit dhe bazave ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme.

“Irani nuk do t’i kufizojë objektivat vetëm në bazat amerikane dhe Izraelin”, ka thënë ai.

Ai i ka përmendur goditjet e Iranit ndaj infrastrukturës civile, aeroporteve dhe porteve në shtetet fqinje të Gjirit, si edhe deri te bazat britanike në Qipro.

Petraeus e ka përjashtur mundësinë e dislokimit të forcave tokësore amerikane në Iran, pavarësisht nga shqetësimet për përshkallëzim të konfliktit në një luftë të gjatë.

“Mendoj se Presidenti dhe Sekretari (i Mbrojtjes, Pete Hegseth) kanë qenë shumë të qartë se nuk do të vendosim trupa në terren”, është shprehur ai.

(r.m.)

Comment

*