Ish-zyrtarja Alda Klosi i deklaroi paratë që i janë vjedhur me tri javë vonesë

Tiranë, 10 janar 2023 – Alda Klosi, ish-zyrtare në Qeverinë e Shqipërisë, në banesën e së cilës dyshohet se u vodhën mbi 120 mijë euro dhe 30 mijë dollar, rezulton të ketë dhënë dy deklarata të ndryshme në polici mbi paratë kesh që ajo i kishte në shtëpi.

Më 15 dhjetor, ditën kur ka ndodhur vjedhja e denoncuar në polici, zonja Klosi ka deklaruar se nuk kishte pasur sasi të mëdha parash. Sipas proceverbalit të deklarimit të saj, të cilin Zëri i Amerikës ka mundur ta shohë, zonja Klosi është shprehur se nga kontrolli paraprak ka konstatuar se, përveç bizhuterive, i mungonte edhe një sasi parash që i kishte për shpenzime të përditshme.

Por, pas arrestimit të Rozeta Dobit, e cila punonte si pastruese tek banesa e ish zyrtares, në një deklarim të dytë, zonja Klosi ka pranuar se në banesë kishte pasur edhe një shumë të madhe parash. Ajo është shprehur se gjatë kësaj kohe ka menduar “me qetësi” për sendet që ka patur dhe se ditën e ngjarjes i është vjedhur “një shumë në valutë të huaj më shumë se 120 mijë eurosh, si dhe një shumë prej 30 mijë dollarësh”, të cilat, siç ka thënë, ia kishte lënë xhaxhai.

Kontradikta në dy deklarimet ngre një sërë pikëpyetjesh, pasi duket e vështirë që një person që ka në banesë një sasi kaq të madhe parash, të mos ketë konstatuar menjëherë mungesën e tyre, aq më tepër që, sipas deklarimeve të djalit të pastrueses, nëna e tij e kishte marrë gjithë kasafortën. Pikëpyetjet shtohen edhe nga fakti se deklarimi i shumës së vjedhur është bërë vetëm pas arrestimit të autorëve të grabitjes, gati tri javë pas vjedhjes dhe jo më parë.

Zonja Klosi ka mbajtur funksione të larta në administratën shtetërore. Ajo ka qenë drejtoreshë e koncensioneve në Ministrinë e Financave para disa vitesh dhe shefe e kabinetit të ish zëvendës kryeministrit Arben Ahmetaj deri në korrik të vitit 2022, prej nga ka kaluar në Autoritetin e Mbikëqyrjes Finaciare.

(Armand Mero, Zëri i Amerikës)