Ish-zyrtarja e lartë, Alda Klosi dënohet me 2 vjet e 6 muaj burgim për fshehje pasurie

Tiranë, 19 mars 2024 – Gjykata e Tiranës deklaroi fajtore për fshehje pasurie të martën më 19 mars Alda Klosin, ish-shefen e kabinetit të ish-ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Arben Ahmetaj dhe e dënoi atë me 2 vjet e 6 muaj burgim. Fajtorë u deklaruan edhe Rozeta e Havier Dobi, nënë e bir, për akuzën vjedhjes me pasoja të rënda në bashkëpunim dhe u dënuan përkatësisht me 7 vjet dhe 5 vjet burg. Tre të pandehurit do të përfitojnë uljen e 1/3-ës së dënimit që e përfitojnë nga pranimi i gjykimit të shkurtuar.

Klosi u dërgua për gjykim në tetor të vitit të kaluar për veprën penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”. Ndërkohë Klosi po hetohet veçmas në drejtim të ligjshmërisë së burimeve të krijimit të pasurive që ajo dhe familjarët e saj zotërojnë.

Arrestimi i ish-zyrtares së lartë erdhi pas hetimit të kallëzimit të saj të kryer në polici për vjedhjen e qindra mijëra eurove në banesë. Pas njoftimit të vjedhjes së banesës së Klosit në rrugën e Kosovarëve në Tiranë në dhjetorin e vitit 2022, policia arrestoi Rozeta Dobin dhe Havier Dobin, nënë e bir, nën akuzën e vjedhjes pasi në shtëpinë e tyre u gjet një shumë e konsiderueshme parash ndërsa Havierit iu sekuestruan disa makina.

Klosi deklaroi në polici më vonë se në çastin e vjedhjes, në banesë kishte pasur 120 mijë euro dhe 30 mijë dollarë krahas bizhuterive.

Policia mbajti nën përgjim në komisariat Rozeta Dobin, e cila punonte si pastruese dhe Havierin, ndërsa këta diskutuan për një shumë tjetër parash të fshehur në tubin e ventilatorit të kuzhinës. Policia nuk kishte gjetur këtë shumë në kontrollin e parë por kur rivizitoi banesën, zbuloi 404 mijë euro dhe 8500 dollarë. Në total policia gjeti 462,950 euro; 15,500 dollarë amerikanë dhe 368 mijë lekë në shtëpinë e Klosit.

(Reporter.al)