Në vitin 2015, me propozimin e botuesit të gazetës “Illyria”, Vehbi Bajrami, kongresisti Eliot Engel mundësoi valëvitjen e një flamuri amerikan mbi ndërtesën e Kongresit Amerikan, Capitol Hill, në nderim të shkrimtarit të madh shqiptar Ismail Kadare.
Sipas traditës amerikane, flamuri në fjalë u paketua me një çertifikatë për t’iu dorëzuar shkrimtarit shqiptar.
Në pamundësi për të udhëtuar në Washington, Ismail Kadare ngarkoi mikun e tij Vehbi Bajrami për të pranuar flamurin në emër të tij.
Për dorëzimin e flamurit u organizua një ceremoni e bukur në kryeqytetin amerikan. Duke folur me këtë rast, me “Zërin e Amerikës”, që përgatiti një reportazh për ceremoninë, botuesi i gazetës “Illyria”, Vehbi Bajrami, u shpreh: “Jam shumë i gëzuar që organizohet ky takim në Kapitol Hill për shkrimtarin tonë të madh, një nga shkrimtarët më të mëdhenj botërorë, zotin Ismail Kadare. Pikërisht në këtë ndërtesë zoti Kadare ka dhënë një dëshmi në vitet e para të demokracisë në Shqipëri për nevojën që ajo të rreshtohet në rrugën e demokracisë dhe tani, më tepër se 20 vjet më vonë, pikërisht në ndërtesën e Kapitolit Hillit po organizohet një takim për të nderuar veprën e tij, pasi ai mori çmimin në Jerusalem. Kjo ceremoni u realizua me mbështetjen e kongresmenit Eliot Engel. …Kombet e vogla, si kombi shqiptar, kanë nevojë për figura të mëdha, siç është Ismail Kadare, me të cilin shqiptarët identifikohen në botë dhe mund të them se kjo figurë kaq e madhe, ky shkrimtar kaq i madh është letërnjoftimi më i mirë i shqiptarëve të botë”.
Më poshtë vijon, reportazhi dhe fotografitë e autores, Kozeta Këze Zylo, kushtuar kësaj ceremonie, i botuar në 21 maj 2015.
ISMAIL KADARE NDEROHET NE KONGRESIN AMERIKAN
Nga Keze Kozeta Zylo – Capitol Hill, Washington DC
Shkrimtari i shquar botëror, SHQIPTARI Ismail Kadare nderohet për vepren e tij në Washington DC në zyrat e kongresit amerikan në Capitol Hill.
Në nderim të veprës së tij të jashtëzakonshme u valëvit Flamuri amerikan mbi Capitol Hill.
Ndonëse shpesh herë në Washington kemi vajtur të organizuar në demonstrata në kërkim të të drejtave tona, të Pavarësisë së Kosovës, të cështjes kombëtare etj, këtë herë në muajin më të bukur të vitit, në Majin e luleve, shkuam për të marrë pjesë në ceremoninë e organizuar në nderim të veprës së Kadaresë organizuar nga gazeta e mirënjohur “Illyria” me botues z.V ehbi Bajramin dhe ligjvënësi i Kongresit amerikan Eliot Engel, miku i ngushtë i shqiptarëve. Të nderosh kulturën e popullit shqiptar është ogur i mirë për Kombin tonë dhe kjo në saje të penës brilante të shkrimtarit Kadare.
Programi në nderim të personaliteteve të shquara në zyrat e kongresit amerikan në Capitol Hill ka filluar qysh në vitin 1937 me propozim të një anëtari të Kongresit amerikan. Dhe erdhi dita që në shekullin e XXI midis shumë personaliteteve të shquara amerikane të nderohet dhe një jo amerikan siç është SHQIPTARI Ismail Kadare.
Moderimin e ceremonisë e kreu editori i gazetës Illyria” analisti i njohur z.Ruben Avxhiu. Në fillim Z.Avxhiu ka ftuar artistin Gjon Krasniqi i cili ka interpretuar dy hymnet kombëtare: amerikane dhe shqiptare.
Pas hymneve kombëtare ka përshëndetur përkthyesi i veprave të Kadaresë, prof.David Bellos profesor në universitetin e mirënjohur Princeton, Nju Xhersi.
Prof. Bellos me fjalë të zgjedhura përshkroi veprën e Ismail Kadaresë si vepër dinjitoze botërore dhe ka ditur të zbërthejë vuajtjet e popullit nën diktaturë, si dhe të një sistemi të tërë totalitar në të cilën jetoi dhe vetë shkrimtari Kadare. Përkthyesi dhe profesori Bellos tha se Kadareja është një shkrimtar i njohur në të gjithë botën dhe nëpërmjet veprave të tij nuk njihet vetëm Kadareja, por dhe vendi i tij Shqipëria. Ai renditet ndër shkrimtarët më të famshëm të botës duke filluar që nga antikiteti e deri në ditët e sotme.
Prof.Bellos me përkthimet e tij prestigjioze e ka sjellë Kadaren të njihet dhe në botën anglishtfolëse dhe të fitojë miliona lexues rreth botës.
Pas fjalës së prof.Bellos Editori i gazetës “Illyria” Avxhiu ka ftuar për të përshëndetur kongresistin amerikan Eliot Engel.
Kongresisti amerikan Eliot Engel është anëtar i lartë në zyrën e Komitetit të punëve të jashtme dhe shërben në komisionin e të drejtave të njeriut. Kongresisti Engel është gjithashtu mik i ngushtë i shqiptarëve i cili ka ndihmuar shumë në çështjen tonë kombëtare.
Kongresisti Engel ndihej i nderuar që këtë ceremoni ia kushtonte shkrimtarit të shquar botëror Kadares.
Kongresisti Eliot Engel tha se miku im personal Vehbi Bajrami më frymëzoi për ta berë të njohur veprën e shkrimtarit të shquar Kadare në dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan ne Washington DC dhe në nderim të shkrimtarit të valëvitej flamuri amerikan mbi Capitol Hill. Kam qenë shumë i impresionuar me veprat e Kadares që kam lexuar, vepra që e kanë bërë shkrimtarin me famë në gjithë botën. Ndërsa kongresisti Engel fliste me konsideratën më të lartë për veprën e Kadarese ndihesha krenare që bota e qytetëruar ka arritur ta vlerësojë me çmimet më të larta të nderit dhe të kutpojë shpirtin e lirë të një shkrimtari të madh që jetoi dhe krijoi nën diktaturë. Ajo kutpoi botën e një shkrimtari nën diktaturë, i cili i diktonte asaj të mësonte të vërtetën nga tempulli i i tij i letërsisë me gjuhën hyjnore artistike si psh: tek “Laokoonti” që shkruan: Më shihni tek mbytem nga gjarpërinjtë/ në muze të Luvrit në Madrid, në Nju-jork/ para syve tuaj e aparate turistësh/ qindra vjet kam që vuaj/ nga që sflas dot/ Si të flas/a mundet një nofull mermeri/ të lëvizë nje grimë, të korrigjojë diçka/ vini re sytë e mi, te zgavrat e thella/ një enigmë, si amebë të tharë atje ka/ Një të fshehtë të madhe ndrydh brenda gjoksit/ para syve tuaj, në Paris, në Madrid/ Ah, do të doja dyfish të m`i shtonit, veç sekretin e madh të shkarkoja një ditë/.
Kongresisti Engel ne emër të tij i dorëzoi botuesit të gazetës “Illyria” z.Bajrami flamurin amerikan që u valëvit krenar mbi Capitol Hill për shkrimtarin e famshëm botëror Kadare dhe një kopje të deklaratës, dhuratë për Ismail Kadarenë, që u mirëprit me duartrokitje nga miqtë dhe të ftuarit në sallë.
Z.Vehbi Bajrami i dhuroi kongresistit Eliot Engel veprën e shkruar nga Ismail Kadare “Tri këngë zie për Kosovën”.
Në këtë veprimtari morën pjesë ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Washington zonja Floreta Faber dhe Ambasadori i Kosovës z.Akan Ismaili.
Veprimtaria u mbulua nga Zëri i Amerikës dhe TV Alba Life, New York.
19 Maj, 2015
Capitol Hill, Washington DC