Italia i sjell në Kampin e Gjadrit edhe 15 emigrantë të tjerë që pritet të dëbohen

Tiranë, 27 qershor 2025 – Një anije e rojës bregdetare italiane solli të enjten 15 emigrantë të rinj në Shëngjin. Grupi i përbërë nga emigrantë me vendime dëbimi kryesisht nga Afrika e Veriut dhe Azia u përcoll në kampin e Gjadrit. ku do të qëndrojnë deri në deportim.

Kjo është hera e katërt që emigrantë të dëbuar nga Italia mbërrijnë në territorin shqiptar, në kuadër të marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë që buron nga dekreti i ri i qeverisë italiane në mars të këtij viti për të ndryshuar qëllimin e qendrave të ndërtuara në Shqipëri, nga qendra për shqyrtimin e azilit në kampe për mbajtjen e personave me vendime dëbimi apo CPR.

Numri i emigrantëve të këtij grupi të transferuar nga Italia që prej marsit është më shumë se 100, por shumica dërrmuese e tyre janë kthyer pas në Itali dhe më pas janë dëbuar në vendet e origjinës.

BIRN mësoi se aktualisht në kampin e Gjadrit bashkë me 15 të mbërritrit e fundit ndodhen rreth 30 emigrantë, të cilët po qëndrojnë aty deri në përfundimin e procedurave të deportimit drejt vendeve të tyre të origjinës.  Ata mund të mbahen në Gjadër deri në 18 muaj. BIRN gjeti se shumica dërrmuese e emigrantëve të sjellë në Gjadër kërkojnë menjëherë të kthehen në vendet e lindjes.  Një punonjës në Gjadër i tha BIRN se shumica e emigrantëve nënshkruajnë menjëherë formularët e dhënies së pëlqimit për t’u larguar. Sipas tij, pjesa më e madhe e shohin largimin si mundësi për të ri- emigruar. Punonjësi që kërkoi të mbetej anonim tha se të vetmit që qëndrojnë për një kohë të gjatë në qendër kanë dhënë identitete të rreme ose refuzohen nga vendet e origjinës.

Në fakt, siç përshkruhet, e gjithë procedura duket absurde. Emigrantët me vendime dëbimi transportohen në Shqipëri për të qëndruar këtu vetëm 2-3 javë dhe më pas duhet të kthehen në Itali për të përfunduar procesin e dëbimit.

Por ndërsa kjo është proceduara e ndjekur në shumicën e rasteve, transferimi i fundit vjen në një kohë kur qeveria e Giorgia Melonit në Itali, por përballet me kritika nga opozita dhe media për dëbime ekstraligjore përmes Rinasit.  Sipas një raporti nga media Altreconomia, një grup me emigrantë nga Egjipti u transferuan në Gjadër në Prill dhe në 9 maj u dëbuan për në Egjipt përmes një fluturimi nga Rinasi në Tiranë. Ekspertët ligjorë besojnë se kjo është në shkelje të normave dhe një proces i parregullt.

Fillimisht, kampi i Gjadrit ishte parashikuar të funksiononte si një qendër pritjeje për azilkërkuesit burra nga të ashtuquajturit vende të sigurta e të shpëtuar në det, me qëndrim maksimal deri në 28 ditë. Por pas ndryshimeve ligjore të miratuara nga qeveria italiane, funksioni i kësaj qendre është ndryshuar, duke e kthyer atë edhe në një qendër ndalimi për personat që presin deportimin pas refuzimit të azilit.

E gjitha saga përshkruhet nga ekspertë si një eksperiment me shumë probleme, i kushtueshëm ekonomikisht dhe me kosto humanitare. Një investigim i BIRN gjeti se vetëm ndërtimi i qendrave në Shëngjin e Gjadër kushtoi 11 herë më shumë se sa një qendër e ngjashme në Itali, llogaritje kjo që nuk merr parasysh transportin nga Italia në Shqipëri e anasjelltas që duhet për procesin e dëbimit dhe as kostot shtesë për të mbajtur në Shqipëri disa qindra oficerë policie italianë.

(Reporter.al)

Comment

*