Shkup, 22 mars, 2023 – Qeveria e Maqedonisë Veriore e ka miratuar propozim-projektin e ITSHKSH për formimin e gjashtë departamenteve rajonale të trashëgimisë kulturore shqiptare. Gjithashtu janë miratuar edhe propozim-projektet për formimin e Departamentit të Mërgatës dhe të Qendrës multimediale dhe dokumentare të ITSHKSH.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, ka njoftuar në bashkëpunim me pushtetin lokal, hapja e departamenteve do të zhvillohet në faza të tilla ku komunat do të sigurojnë hapësirat kurse ITSHKSH do të rishpërndajë kuadrin e angazhuar. Fillimisht do të aktivizohen sektori rajonal në Kërçovë, ku autoritetet komunale tashmë kanë siguruar hapësirë, përkatësisht është objekti i ish-komunës së Zajazit, si dhe në Manastir, ku Muzeu i Alfabetit do të lëshojë një pjesë të hapësirave në objektin e tij, tha Shaqiri.
“Dua të shpreh përgëzimet e mia ndaj ISHP – ITSHKSH për iniciativën rreth zgjerimit të veprimtarisë, duke uruar suksese dhe ofruar përkrahjen dhe mbështetjen time të pa rezervë për secilën ide rreth thellimit të punës së institucioneve publike shkencore dhe kërkimore.Besoj që zhvillimi i shkencës është kusht themelor për prosperitetin e përgjithshëm nacional dhe shoqëroro-ekonomik”, u shpreh ministri Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri.
Drejtori i ITSHKSH, prof.dr. Skender Asani, është shprehur i kënaqur, duke faleminderuar me këtë rast liderin e BDI-së, Ali Ahmetin, për mbështetjen e pa rezervë të këtyre projekteve, ZvKryeministrin e parë, Artan Grubin, për menaxhimin dhe bashkërendimin e procesit dhe Jeton Shaqirin, ministër i Arsimit dhe Shkencës, për finalizimin e implementimit institucional të këtyre propozim-ideve.
“Ky është kurorëzim i një pune shumëvjeçare që ka për qëllim rrumbullakimin dhe plotësimin e kuadrit ligjor për një veprimtari më të gjerë kërkimore-shkencore në terren dhe përgatitje e një faze të re të punës sonë që si objektiv kryesor do të ketë zgjerimin e fushëveprimit tonë gjithkund ku ndodhet trashëgimia jonë shpirtërore e kulturore. Në të ardhmen presim që me ekipimin e kuadrit të specializuar të zhvillojmë një sërë projektesh që përpos karakterit shkencor, do të kenë edhe karakter edukativ e njohës për gjeneratat e reja, të cilat duhet të jenë në korrent me historinë dhe trashëgiminë kulturore në trevat ku ata banojnë”, dekaroi Asani.
Me vendimin e sotëm të Qeverisë, ITSHKSH-së do t’i shtohen gjashtë departamente rajonale të trashëgimisë kulturore, duke filluar rajoni i Kërçovës, ku do të ngrihet Departamenti i trashëgimisë kulturore “Nëna Shqiptare”, pastaj Rajoni i Pellagonisë, në Manastiri, ku do të ngrihet Departamenti rajonal i trashëgimisë kulturore me emrin “Qiriazët”, pastaj pellgu i Ohrit dhe Strugës – Departamenti rajonal “Dervish Hima”, rajoni i Rekës së Epërme me qendër në Dibër, që do të mbaj emrin e Josif Bagerit , rajoni i Kërçovës – “Nëna Shqiptare”, rajoni i Pollogut në Tetovë – “Deralla”, si dhe Departamenti rajonal i Kumanovëe -“Jashar Erebara”, që do të përfshijë rajonin e rrafshit të Kumanovës dhe Karadakut.
Secili prej këtyre departameneteve rajonale i ka specifikat e veta dhe jo rastësisht i kanë emërtimet që iu përkasin atyre specifikave. Kështu, bie fjala, në Manastir dihet mirëfilli kontributi historik i familjes Qiriazi dhe për rrjedhojë emri që do të mbaj Departamenti rajonal në këtë qytet ndërlidhet me historinë lavdishme të kësaj familjeje.
Pastaj e kemi rilindësin Dervish Hima nga Ohri, një patriot intelektual që radhitet bashkë me firmëtarët tjerë të Pavarësisë së Shqipërisë, i njohur me penën e tij të spikatur si publicist dhe botues. Dhe jo rastësisht emrin e tij do ta mbajë Departamenti rajonal i Pellgut të Ohrit dhe Strugës.
Vjen pastaj Rajoni i Rekës së Epërmes që do të mbaj emrin e veprimtarit, poetit dhe publicistit Josif Bageri, i cili u angazhua edhe për bashkëpunimin në mes të popujve të Ballkanit në frymën e Rilindjes Evropiane.
Në Kërçovë do ta kemi simbolin e sakrificës shekullore – “Nëna Shqiptare”, një atribut ky që do të arsyetojë fushëveprimin e Departamenti rajonal të trashëgimisë kulturore, duke sublimuar të gjitha virtytet e shenjta të nënës shqiptare, ky burim i pashtershëm frymëzimi dhe pjellorie ndër shekuj.
Rajoni i Pollogut ka dhënë shumë figura të shquara që i kanë kontribuuar progresit dhe dinjitetit ndër shekuj, andaj është përzgjedhur që Departamenti rajonal i trashëgimisë kulturore që do të mbuloj këtë rajon, me seli në Tetovë, të ketë emrin “Deralla”, një personifikim ky i sakrificave dhe aspiratave liridashëse të banorëve të këtij rajoni dhe më gjerë.
Në janar të vitit 1909, me nismën e atdhetarit dhe publicistit , Jashar Erebara, themelohet “Klubi i Kumanovës”, i cili është cilësuar edhe si vatra e parë e arsimit shqip në këto treva. Me themelimin e këtij klubi dalin në ndritë personalitete dhe ngjarje të tjera që kanë rëndësi historike për trevën shqiptare të Kumanovës. Prandaj edhe Departamenti i trashëgimisë kulturore të këtij rajoni jo rastësisht do të mbaj emrin e Jashar Erebarës.
Në kuadër të ITSHKSH në të ardhmen do të funksionojnë edhe Departamenti i Mërgatës si dhe Qendra multimediale dhe dokumentare.
Duke themeluar Departamentin e Mërgatës, ITSHKSH synon që të ofroj një shikim të ri sa i përket trajtimit të mërgatës sonë, e cila duhet të jetë më e lidhur me vendlindjen, duke kontribuar kështu në dy plane: në njërën anë, vendlindja përfiton nga përvoja dhe mirëqenia e mërgatës, kurse kjo e fundit përfiton nga vendlindja edukimin dhe traditën.
Ndërkaq Qendra multimediale dhe dokumentare do të jetë një shtyllë ndihmëse e ITSHKSH në dokumentimin dhe arkivimin digjital të trashëgimisë sonë materiale e shpirtërore, një përvojë kjo e njohur e instituteve botërore të cilët kanë edhe produksionet e tyre, shembull ky që do të ndiqet edhe nga ITSHKSH.
(e.a.)