Ivanka Trump dëshmoi në procesin gjyqësor lidhur me biznesin e familjes

Nju Jork, 8 nëntor 2023 – Ivanka Trump dëshmoi të mërkurën në gjyqin civil lidhur me biznesin e familjes Trump, një paraqitje të cilën ajo ishte munduar ta shmangte.

Dëshmia e vajzës së ish-Presidentit Trump, e cila ka qenë pjesë e rrethit të brendshëm si në biznes ashtu edhe në politikë, përmbyll një pjesë kryesore të procesit gjyqësor. Babai i saj dëshmoi të hënën, ndërsa vëllezërit Eric Trump dhe Donald Trump Jr. dëshmuan javën e kaluar.

Në dallim nga të tjerët, ajo nuk është më e akuzuar në padinë e Prokurores së Nju Jorkut, Letitia James. Sipas akt-padisë, vlerat e pasurive të ish-Presidentit Donald Trump u ekzagjeruan në mënyrë të paligjshme prej vitesh, në deklaratat financiare që e ndihmonin për të përfituar kredi dhe kontrata me kompanitë e sigurimeve.

Gjyqi civil do të vendosë për akuzat për konspiracion, për mashtrim me sigurimet dhe falsifikim të të dhënave të biznesit. Gjykatësi Arthur Engoron ka dhënë vendim tashmë për pretendimin kryesor të padisë, se ish-Presidenti Trump u angazhua në mashtrim. Vendimi u shoqërua nga masa që mund t’ia heqin ish-presidentit të drejtën e mbikëqyrjes së pronave të mirënjohura, si Kulla Trump, megjithëse një gjykatë apeli i ka lejuar për momentin që të vazhdojë të ketë nën kontroll pasuritë.

Prokurorja James, e zgjedhur si kandidate demokrate, kërkon mbi 300 milionë dollarë në formë ndëshkimesh dhe ndalimin për zotin Trump që të ushtrojë biznes në Nju Jork.

Ish-presidenti dhe kandidati kryesor republikan për zgjedhjet e vitit 2024 mohon të ketë bërë ndonjë shkelje dhe po kështu kanë deklaruar edhe të akuzuarit e tjerë. Ai këmbënguli në gjykatë të hënën se shifrat në deklaratat e tij financiare janë shumë më poshtë vlerës reale të pasurive të tij, dhe se mospërputhjet janë shumë të vogla, një deklaratë kjo që e shfajëson nga ndonjë përgjegjësi ligjore. Ai gjithashtu u shpreh se kjo “çështje është e turpshme”.

Ivanka Trump ishte zëvendës presidente ekzekutive në Organizatën Trump përpara se të bëhej këshilltare e lartë në Shtëpinë e Bardhë. Në dallim nga vëllezërit e saj, të cilët vazhdojnë të jenë zëvendës presidentë në Organizatën Trump, ajo ka thënë se ka patur njohuri minimale për deklaratat vjetore financiare të babait të saj.

“Nuk di konkretisht se çfarë u përgatit për të si person, veçmas nga ato për organizatën dhe pronat me të cilat unë punoja”, tha ajo në deponimin gjatë përgatitjes së dosjes hetimore. Ajo tha se nuk e dinte se kush i përgatiti deklaratat, apo se si ishte përpiluar dokumentacioni.

Si drejtuese në Organizatën Trump, Ivanka Trump punoi për sigurimin e një kredie dhe të një marrëveshjeje qiramarrjeje për një hotel në Uashington, për financimin e klubit të golfit Doral pranë Majamit, si dhe një hoteli dhe një kulle apartamentesh në Çikago, thuhet në dokumentacionin e gjykatës.

Ndërsa afronte data e inaugurimit në detyrën e presidentit të babait të saj, ajo njoftoi në janar 2017 se po largohej nga puna në Organizatën Trump. Pasi shërbeu në Shtëpinë e Bardhë, ajo u zhvendos për në Florida.

Një gjykatë apeli e hoqi emrin e saj nga të akuzuarit, pasi arriti në përfundimin se padia ndaj saj ishte bërë shumë kohë më parë.

Avokatët e saj kanë thënë se ajo nuk duhej të ishte thirrur për dëshmitare. Ata thanë se prokuroria po përpiqej të përndiqte familjen, duke e sjellë atë përpara gjykatës.

Prokuroria tha se dëshmia e saj do të ishte me vlerë, duke shtuar se ajo ka qenë e përfshirë në disa zhvillime për këtë çështje gjyqësore dhe se vazhdon të ketë lidhje financiare dhe profesionale me Organizatën Trump dhe drejtuesit e saj. Kompania ka blerë siguracion për të dhe për bizneset e saj, ka menaxhuar personelin e saj punonjës dhe kartat e saj të kreditit, ka dhënë me qira apartamentin e saj dhe ka paguar për të faturat e shpenzimeve juridike, thuhet në dokumentacionin e gjykatës.

Gjykatësi Engoron dhe një gjykatë i apelit vendosën në vazhdim se ajo duhej të paraqitej si dëshmitare.

(Zëri i Amerikës)