Ivanka Trump e Jared Kushner arrijnë në Shqipëri, për projektin investiv në Sazan e Zvërnec

Tiranë, 21 janar 2026 – Vajza e presidentit amerikan, Donald Trump, Ivanka Trump, së bashku me bashkëshortin e saj, Jared Kushner, kanë arritur në Shqipëri të mërkurën, në një vizitë të paparalajmëruar.

Mediet në Shqipëri raportojnë se kryeministri Edi Rama ka shtruar darkë për ta në një restorant në Vlorë dhe pas përfundimit të darkës ata janë larguar nnë drejtim të Orikumit.

Foto ekskluzive nga takimi mes Ivanka Trump dhe kryeministrit Edi Rama në  Vlorë

Vizita Ivanka Trumpit dhe Jared Kushnerit besohet se ka të bëjë me projektin e Kushnerit për investime në ishullin e Sazanit dhe në Zvërnec. Sipas raportimeve, ata janë takuar në Vlorë me një grup arkitektësh, për të diskutuar lidhur me projektin.

Në fund të vitit 2024, kompanisë së Kushnerit i është dhënë statusi i investitorit strategjik në Shqipëri për një resort turistik në zonën e Vlorës. Sipas ligjit, ky status e lejon kompaninë të zbatojë projektin që vlerësohet me rëndësi strategjikr për një sektor të caktuar të ekonomisë në Shqipëri, në këtë rast të turizmit. Ky status u ofron investitorëve “procedura të përshpejtuara” dhe “përfitime të tjera” nga shteti.

Kompanisë së Kushnerit i është dhënë statusi i investitorit strategjik për 10 vjet.

Më 2024, Kushner e kishte publikuar në rrjetet sociale një projekt ideor të një resorti turistik në Sazan, ishullin që dikur ishte bazë e marinës ushtarake të Shqipërisë, kurse tani është një vendbanim i braktisur. Kushner ka deklaruar se dëshiron që edhe në Zvërnec, pranë Vlorës, t’i ndërtojë disa hotele dhe qindra vila.

Planet e Kushnerit ishin përballur me kundërshtime në Shqipëri, sidomos nga ambientalistët që thonë se projekti mund të dëmtojë zonat e mbrojtura në bregdet, sidomos zonën e Zvërnecit.

Jared Kushner kishte planifikuar të investonte edhe në Beograd. Kompania e tij e kishte gati edhe projektin për ndërtimin e një kompleksi hotelier e banesor në qendër të Beogradit, në vend të ndërtesës së ish Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë jugosllave, e cila ishte bombarduar në vitin 1999 nga NATO, gjatë sulmeve ajrore mbi objektivat ushtarake e policore serbe. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ia kishte premtuar Kushnerit lokacionin ku gjendet ajo ndërtesë, edhepse ajo ishte shpallur objekt i trashëgimisë historike, i mbrojtur nga shteti.

Pas presionit të opozitës dhe të qytetarëve, Prokuroria nisi hetimet dhe gjeti se ndërtesës së ish- Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë i ishte hequr statusi i objektit të trashëgimisë në mënyrë të kundërligjshme, përmes falsifikimit të dokumenteve, prandaj u ngrit aktakuzë ndaj ministrit të kulturës dhe disa zyrtarëve tjerë të shtetit.

Kjo bëri që dhëndrri i Presidentit Donald Trump, Jared Kushner, të heqë dorë nga projekti dhe të tërhiqet nga ideja për investime në Beograd. Ka raportime se ai do të kërkojë dëmshpërblim për shpenzimet e projektimit dhe të përgatitjeve për fillimin e punëve.

Presidenti i Serbisë i ka akuzuar për tërheqjen e Kushnerit opozitën dhe qytetarët që po protestojnë për rrëzimin e qeverisë së tij. Sipas tij, Kushner kishte planifikuar të investonte në këtë projekt mbi 700 milionë dollarë.

(r.m.)