Tel Aviv / Teheran, 1 mars 2026 – Izraeli i ka vazhduar edhe të dielën sulmet kundër atyre që i ka përshkruar si “shënjestra të regjimit” iranian, ndonëse një ditë më parë nga sulmet e tij dhe të Shteteve të Bashkuara u vra lideri suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei dhe dhjetëra zyrtarë tjerë shtetërorë.
Ushtria izraelite ka bërë të ditur të dielën se ka nisur një valë sulmesh kundër shënjestrave të lidhura me regjimin iranian në Teheran.
“Një ditë më parë, forca ajrore izraelite ka kryer sulme të shkallës së gjerë për të krijuar superioritet ajror dhe për të hapur rrugën për në Teheran”, thuhej në deklaratë.
Mediat iraniane kanë raportuar për një shpërthim të fuqishëm në në Teheran. Shpërthimi ka ndodhur në lagjen ku ndodhen selia qendrore e policisë, televizioni shtetëror iranian, Gjykata Revolucionare e Teheranit dhe një ndërtesë e Ministrisë së Mbrojtjes.
Më herët, Irani ka lëshuar raketa drejt një sërë objektivash në Izrael dhe në shtetet arabe të Gjirit, në shenjë të hakmarrjes për vrasjen e Udhëheqësit Suprem, Ajatollah Ali Khamenei.
Irani është zotuar se do të hakmarret ashpër. Në shënjestër të raketave dhe dronëve iranianë kanë qenë Izraeli dhe bazat amerikane në Bahrein, në Kuvajt dhe në Emiratet e Bashkuara Arabe. Raportohet se sistemet mbrojtëse të këtyre vendeve kanë rrëzuar dhjetra raketa dhe dronë.
(r.m.)