Jerusalem / Uashington, 25 korrik 2025 – Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kritikuan ashpër Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, për vendimin që Franca ta njohë shtetin e Palestinës, raporton DW.
“Një hap i tillë e shpërblen terrorin”, tha zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu në një deklaratë lidhur me venmdimin e Macronit.
“Një shtet palestinez në këto kushte do të ishte një platformë startimi për shkatërrimin e Izraelit”, thuhet më tutje në deklaratë.
Sipas kabinetit të Netanjahut, vendimi i Macronit “rrezikon krijimin e një shteti përfaqësues të Iranit, siç u bë Rripi i Gazës nën Hamasin”.
Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kritikuan vendimin e Presidentit francez për njohjen e Palestinës si shtet.
“Ky vendim i pamatur i shërben vetëm propagandës së Hamasit dhe pengon paqen”, shkroi Sekretari i Shtetit i SHBA-së Marco Rubio në platformën X.
Rubio e cilësoi vendimin e Macronit si “shuplakë” për viktimat e masakrës së kryer nga Hamasi dhe grupe të tjera terroriste në Izrael më 7 tetor 2023.
Ndërkaq, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e cilësoi si të pavlerë vendimin e Macronit.
“Ajo që thotë ai nuk ka rëndësi”, tha ai.
Ai është një djalë shumë i mirë. Më pëlqen, pork jo deklaratë nuk ka peshë”, shtoi Trump.
Presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi të enjten se Franca do ta njohë Palestinën si shtet.
“Në përputhje me angazhimin e saj historik për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme, kam vendosur që Franca do ta njohë Shtetin e Palestinës”, shkroi Macron në platformën X.
Ai tha se këtë vendim do ta shpallë solemnisht në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në muajin shtator.
“Këtë [vendim] do ta shpall solemnisht në shtator të këtij viti para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara”, shkroi Macron në Platformën X.
Ai e cilësoi si çështje urgjente një marrëveshje armëpushimi në Rripin e Gazës.
“Sot, është urgjente të përfundojë lufta në Rripin e Gazës dhe të shpëtohet popullsia civile”, shkroi ai.
Presidenti francez bëri thirrje për armëpushim, për lirimin e të gjithë pengjeve dhe për sigurimin e ndihmave humanitare masive për popullsinë e Rripit të Gazës.
Ai tha se Hamasi duhet të çmilitarizohet dhe Rripi i Gazës duhet të rindërtohet.
Presidenti francez e njoftoi për vendimin e tij Presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas.
Asambleja Kombëtare e Francës kishte votuar në favor të njohjes së një shteti palestinez qysh në vitin 2014. Por, ky votim nuk ishte detyrues për qeverinë.
(r.m.)