Izraeli dhe Spanja përplasen për shkak të kritikave për ofensivën izraelite në Gaza

Madrid, 17 tetor 2023 – Kritikat e anëtarëve të Qeverisë së Spanjës për ofensivën ushtarake të Izraelit në Rripin e Gazës kanë shkaktuar reagime të Izraelit, raporton Radio Evropa e Lirë.

Ambasada e Izraelit tha se “anëtarë të caktuar të Qeverisë së Spanjës kanë vendosur të rreshtohen në radhët e terrorizmit të ngjashëm me ISIS-in”.

“Këto janë deklarata plotësisht të pamoralshme. Si të tilla, ato e rrezikojnë sigurinë e komunitetit hebraik në Spanjë”, ka thënë ambasada izraelite.

Por, ajo nuk ka përmendur emra.

Madridi zyrtar i ka hedhur poshtë këto akuza të Ambasadës së Izraelit në Spanjë, duke i cilësuar të pavërteta.

“Qeveria spanjolle i hedh poshtë kategorikisht të pavërtetat që përmban komunikata e Ambasadës së Izraelit për disa prej anëtarëve të saj”, shkroi në Tëitter Ministria e Jashtme e Spanjës, transmetoi Radio Evropa e Lirë.

Ajo tha se nuk e pranon “asnjë sugjerim të tillë të pabazë”.

Por, ministrja për të Drejta Shoqërore e Spanjës, Ione Belarra, e cila mori pjesë në tubimet pro-palestineze në Madrid të dielën, i përsëriti kritikat ndaj ofensivës izraelite në Gaza edhe të martën.

Ajo tha se askush nuk e mohon dhimbjen e shkaktuar nga sulmet e Hamasit në Izrael, por theksoi se “Izraeli po e mohon dhimbjen e palestinezëve”.

“Ne duhet patjetër ta ngremë zërin për t’i dhënë fund përgjithmonë këtij gjenocidi”, tha Belarra, në një intervistë për një radio.

Izraeli e ka rrethuar Rripin e Gazës dhe nuk po lejon futjen e ushqimit, ujit, karburantit dhe rrymës që nga sulmi vdekjeprurës i Hamasit, më 7 tetor.

Ushtria izraelite e mohon se ka krizë humanitare në Gaza duke ngulur këmbë se ka furnizim me ujë dhe rrymë.

(r.m.)