Izraeli e godet objektet bërthamore në Arak dhe Natanz, ndërsa Irani e godet një spital në Izrael

Jerusalem / Teheran, 19 qershor 2025 – Iraeli dhe Irani kanë vazhduar sulmet reciproke edhe gjatë natë mes të mërkurës dhe të enjtes dhe të enjten në mëngjes.

Ushtria izraelite njoftoi të enjten se po kryen një seri sulmesh në Iran, përfshirë Teheranin.

“Forcat Ajrore Izraelite po kryejnë aktualisht një seri sulmesh në Teheran dhe në zona të tjera të Iranit”, njoftoi ushtria izraelite në Telegram.

Nw tw njwjtwn kohw, ushtria izraelite u bëri thirrje për evakuimin e fshatrave iraniane Arak dhe Khondab, të cilat ndodhen pranë objekteve bërthamore.

“Forcat Mbrojtëse Izraelite u bëjnë thirrje urgjente banorëve, punëtorëve dhe të gjithë të pranishmëve në fshatrat iraniane Arak dhe Khondab (…) që të evakuohen menjëherë, para se të sulmojmë infrastrukturën ushtarake”, tha ushtria izraelite.

Mediat shtetërore iraniane njoftuan të enjten në mëngjes se Izraeli ka goditur një reaktor bërthamor në Arak, në perëndim të Teheranit, dhe disa stacione televizive. Në njoftim thuhet se sulmet janw kryer ndonëse popullsia civile nuk kishte arritur të evakuohej nga zona, pas paralajmërimeve nga Izraeli. Por, burime të pavarura thonë se të gjithë civilët kishin arritur të evakuoheshin para sw tw kryhej sulmi.

Ushtria izraelite njoftoi se gjatë natës e ka goditur edhe objektin bërthamor të Natanzit.

Ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme Izraelite njoftoi se Spitali Soroka, në qytetin e Beershebas, është goditur nga një raketë balistike iraniane të enjten në mëngjes. Ministria raportoi për dhjetëra njerëz të plagosur në sulmin ndaj spitalit, i cili thuhet se ofron shërbime shëndetësore për pjesëtarët e të gjitha komuniteteve: hebrenjve, myslimanëve, të krishterëve dhe beduinëve arabë.

Sulmi ndaj spitalit është pjesë e një sulmi më të gjerë raketor iranian në territorin izraelit, si pjesë e përshkallëzimit të konfliktit midis dy vendeve.

Por, mediat shtetërore iraniane raportuan se objektiv i sulmit me raketa nuk ishte spitali Soroka në Beersheba, por infrastruktura ushtarake e ushtrisë izraelite në afërsi të këtij spitali.

Sipas agjencisë IRNA, në shënjestër të sulmit ishin qendrëa e komandës së inteligjencës së ushtrisë izraelite (IDF C4i) dhe kampi i inteligjencës ushtarake brenda parkut teknologjik Gav-Yam Negev, pranë spitalit dhe kampusit të Universitetit “Ben Gurion”

“Infrastruktura ushtarake ishte një objektiv i drejtpërdrejtë dhe i saktë, dhe spitali ishte i ekspozuar vetëm ndaj valës së goditjes”, thuhet në raportimet nga Irani.

Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi ka thwnw se Izraeli do tw paguajw pwr “gabimin e tij të rëndë”.

“Irani do të vazhdojë të ushtrojë të drejtën e tij për vetëmbrojtje me krenari dhe guxim. Ne do ta bëjmë agresorin të pendohet dhe të paguajë për gabimin e tij të rëndë”, ka shkruar Araghchi në X.

Araghchi e ka akuzuar Izraelin se po kërkon “ta përhapë konfliktin në rajon dhe më gjerë”.

Izraeli e akuzon Iranin se po punon në zhvillimin e armëve bërthamore dhe e konsideron Republikën Islamike si kërcënim për ekzistencën e shtetit izraelit. Por, Irani thotë se programi i tij bërthamor zhvillohet për qëllime ekskluzivisht civile.

(r.m.)