Izraeli e Hamasi pajtohen për zgjatjen e armëpushimit në Gaza

Tel Aviv, 30 nëntor 2023 – Izraeli konfirmoi se është pajtuar të zgjasë armëpushimin me Hamasin edhe për të paktën një ditë.

“Pauza operaceonale do të vazhdojë në dritën e përpjekjeve të ndërmjetësuesve për të vazhduar procesin e lirimit të të rrëmbyerve dhe në përputhje me kushtet e marrëveshjes”, thuhet në deklaratën e Forcave Mbrojtëse të Izraelit të postuar në rrjetin X.

Deklarata u publikua rreth 15 minuta para përfundimit të armëpushimit të arritur me parë.

Sipas raportimeve, Izraeli ishte i pakënaqur me listën e pengjeve të propozuar për t’u liruar nga Hamasi.

Hamasi tha se Izraeli kishte refuzuar ofertën e tij për lirimin shtatë grave dhe fëmijëve dhe trupave të tre të tjerëve, për të cilët militantët thanë se u vranë gjatë një bombardimi izraelit.

Militantët e Hamasit liruan 16 pengje të mërkurën, ditën e gjashtë të një armëpushimi mes palëve, ndërsa negociatorët punuan për të zgjatur pauzën në luftime dhe për të liruar edhe më shumë pengje në këmbim të lirimit të palestinezëve që mbahen në burgjet izraelite.

Pesë gra izraelite, tre fëmijë dhe dy të rinj u liruan së bashku me katër shtetas tajlandezë. Hamasi kishte liruar më herët dy gra ruso-izraelite të moshës 50 dhe 73 vjeç. Të enjten herët, Izraeli liroi 30 palestinezë nga burgjet e tij përfshirë Ahed Taminin, një aktivist i njohur.

Disa orë përpara përfundimit të armëpushimit, Hamasi i cilësoi të pamjaftueshme propozimet e Izraelit për vazhdimin e tij.

“Ajo që po propozohet në diskutimet për zgjatjen e armëpushimit nuk është më e mira”, tha një burim për agjencinë e lajmeve France-Presse, duke shtuar se bisedimet u përqendruan në zgjatjen e pauzës për “dy ditë ose më shumë”.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken mbërriti në Izrael. Para udhëtimit ai tha në një konferencë shtypi në Bruksel se “gjatë ditëve të ardhshme, do të përqendrohemi që të bëjmë atë që mundemi për të zgjatur pauzën në mënyrë që të vazhdojmë lirimin e më shumë pengjeve dhe dërgimin e më shumë ndihmave humanitare”.

Një zyrtar izraelit tha për Washington Post se armëpushimi mund të zgjatet për dy ose tre ditë, por një ndërprerje e mëtejshme e luftimeve nuk do të “çojë në një armëpushim të përhershëm”.

Zyrtari tha se “qëllimi për të hequr Hamasin nga sundimi i tij në Gaza” mbetet objektivi kryesor për shtetin hebre pas sulmit të befasishëm të Hamasit më 7 tetor në jug të Izraelit gjatë të cilit u vranë rreth 1200 veta dhe u morën rreth 240 pengje. Si përgjigje, bombardimet ajrore izraelite dhe ndërhyrja tokësore në Gaza la pas vets më shumë se 15,000 të vrarë, sipas ministrisë së Shëndetësisë të Gazës së kontrolluar nga Hamasi.

Forcat izraelite të Mbrojtjes thanë të mërkurën se gjenerali Herzi Halevi, shefi i shtabit të ushtrisë izraelite, ka miratuar planet për “vazhdimin e luftimeve” në Gaza pas përfundimit të pauzës.

Hamasi tha të mërkurën se tre pengje; Kfir Bibas 10 muajsh, vëllai i tij 4-vjeçar Ariel dhe nëna e tyre, Shiri Silberman Bibas, u vranë gjatë bombardimeve izraelite në Rripin e Gazës. Ushtria izraelite tha se po hetonte pretendimin e Hamasit.

Armëpushimi fillestar prej katër ditësh parashihte që Izraeli të ndalonte fushatën e tij për të çrrënjosur grupin militant Hamas, lirimin e 50 pengjeve dhe 150 të burgosurve palestinezë. Pauza lejoi gjithashtu shtimin e ndihmave humanitare për Rripin e shkatërruar të Gazës.

Një zgjatje dyditore u bë me kushtet që Hamasit të lirojë 10 pengje të tjera në ditë dhe Izraeli më shumë të burgosur.

Armëpushimi gjashtëditor i solli Gazës pushimin e parë pas gjashtë javësh të bombardimeve të ngjeshura ajrore izraelite dhe një ofensive tokësore të nxitur nga sulmi i Hamasit.

Kombet e Bashkuara vlerësojnë se 1.8 milionë nga 2.3 milionë banorët e Gazës janë larguar nga shtëpitë dhe shumë prej tyre qëndrojnë në strehimore të mbipopulluara.

Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi të martën për rrezikun e lartë të “shpërthimit të sëmundjeve ngjitëse” në kushtet e mbipopullimit të strehimoreve dhe dëmtimit të sistemit shëndetësor, atij të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve në Gaza.

(Zëri i Amerikës)