Izraeli i heq vizat për shtetasit e Kosovës

Prishtinë, 18 qershor 2024 – Izraeli dhe Kosova kanë nënshkruar marrëveshjen për hyrjen në fuqi të vendimit për heqjen e vizave për kosovarët.

Marrëveshja u nënshkrua të marten në Prishtinë nga ministri i Brendshëm i Izraelit, Moshe Arbel dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla.

Ministrja Gërvalla e cilësoi nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje si dëshmi të marrëdhënieve të fuqishme mes Kosovës dhe Izraelit.

“Kjo marrëveshje që e nënshkruam dhe ky vendim për heqjen e vizave për qytetarët e dy vendeve tona do të hapë një kapitull të ri në promovimin e vendit tonë, bashkëpunimin dhe zhvillimin ekonomik, zhvillimin arsimor të të rinjve si dhe realizimin e projekteve dhe iniciativave të përbashkëta mes qytetarëve dhe vendeve tona në të ardhmen”, tha ministrja Gërvalla.

Ajo shprehu kënaqësinë që shtetasit e Kosovës do ta kenë më të lehtë ta vizitojnë Izraelin dhe midis dy vendeve të krijohen lidhje kulturore dhe profesionale.

Ministri i Brendshëm i Izraelit, Moshe Arbel, shprehu vendosmërinë e Izraelit për ta mbështetur zhvillimin e Kosovës dhe integrimin e saj në institucionet euro-atlantike.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës njoftoi se vendimi për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës në Izrael hyn në fuqi më 19 shtator 2024.

Më 29 janar të këtij vitit, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte njoftuar se Izraeli është pajtuar për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës. Ajo kishte bërë të ditur se ministritë përkatëse i kishin nisur procedurat për formalizimin e marrëveshjes.

(r.m.)