Izraeli kërkon evakuimin e 1.1 milionë banorëve nga qyteti i Gazës brenda 24 orësh

Tel Aviv, 13 tetor 2023 – Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) u bënë thirrje të premten civilëve që të largohen nga qyteti i Gazës “për hir të sigurisë dhe mbrojtjes së tyre”.

Në një deklaratë në rrjetin X, i njohur më parë si Tëitter, zëdhënësi i IDF-së Jonathan Conricus tha se “IDF-ja bën thirrje për evakuimin e të gjithë civilëve nga qyteti i Gazës në drejtim të jugut, për sigurinë e tyre”.

“Do të mund të ktheheni në qytetin e Gazës vetëm pas një njoftimi tjetër që do ta lejojë atë. Mos iu afroni zonës së gardhit të sigurisë me shtetin e Izraelit”, tha ai.

Thirrja pasoi një deklaratë të Kombeve të Bashkuara të enjten vonë se zyrtarët ushtarakë izraelitë e kishin informuar atë se e gjithë popullsia e Gazës veriore, rreth 1.1 milionë njerëz, duhet të zhvendoset në Gazën jugore brenda 24 orësh.

“Kombet e Bashkuara e konsiderojnë të pamundur që një lëvizje e tillë të ndodhë pa pasoja shkatërruese humanitare”, tha në një deklaratë zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric. “Kombet e Bashkuara bëjnë thirrje me forcë që çdo urdhër i tillë, nëse konfirmohet, të anulohet, duke shmangur shndërrimin e asaj që tashmë është një tragjedi, në një situatë katastrofike”.

Zëdhënësi Dujarric tha se urdhri vlen gjithashtu për të gjithë personelin e Kombeve të Bashkuara që strehohen në objektet e OKB-së, përfshirë shkollat, qendrat shëndetësore dhe klinikat.

Popullsia e Gazës tashmë po jeton nën një rrethim të plotë të vendosur këtë javë në territorin e kontrolluar nga Hamasi, si hakmarrje për sulmet vdekjeprurëse të së shtunës ndaj Izraelit, që lanë pas vetes qindra civilë të vrarë. Palestinezët që jetojnë atje janë pa energji elektrike, ujë dhe karburante.

Urdhri u dha pasi Izraeli rriti përgatitjet për një pushtim tokësor të Gazës, duke përfshirë pozicionimin e 300,000 rezervistëve pranë kufirit me Gazën, por ende nuk është marrë asnjë vendim për të filluar një ofensivë.

Izraeli nisi sulme të reja të enjten, duke u zotuar se bombardimet e Gazës nuk do të pushojnë derisa militantët e Hamasit të lirojnë rreth 150 pengje.

Të enjten, grupi për të drejtat e njeriut Human Rights Ëatch tha se Izraeli përdori fosfor të bardhë në operacionet ushtarake në Gaza të mërkurën, gjë që përbën shkelje të ligjit ndërkombëtar humanitar. Fosfori i bardhë mund të shkaktojë djegie të rënda dhe probleme afatgjata shëndetësore.

“Nuk kishte asnjë përdorim të fosforit të bardhë në Rripin e Gazës. Pikë”, u tha gazetarëve të enjten zëdhënësi i IDF-së, nënkoloneli Amnon Sheffler.

Një fushatë e sulmeve ajrore izraelite që filloi disa orë pas sulmit të shtunës të kryer nga Hamasi, la pas vetes të paktën 1500 të vrarë në Gaza. Izraeli thotë se ka hedhur 6,000 bomba gjatë gjashtë ditëve të bombardimeve. Zëdhënësi i IDF-së, Conricus tha të premten se 1,300 civilë dhe ushtarë izraelitë janë vrarë dhe më shumë se 3,000 janë të plagosur.

“Numri i viktimave po rritet çdo orë,” tha për për Alhurran, një organizatë simotër e Zërit të Amerikës në gjuhën arabe, Bashar Murad, drejtor i grupit humanitar të Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze.

“Numri i të vdekurve dhe të plagosurve që kanë mbërritur në spitale është shumë më i madh se kapaciteti i këtyre spitaleve”, tha Murad.

Organizatat humanitare alarmuan për pakësimin e shpejtë të furnizimeve me ushqim, ujë, karburant dhe ilaçe në Gaza, pas bllokadës izraelite të rripit të ngushtë të tokës përgjatë Detit Mesdhe.

Presidenti egjiptian Abdel Fattah el-Sissi theksoi nevojën për të “siguruar shërbimet humanitare si dhe ndihmën për banorët në Rripin e Gazës”.

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se ka dokumentuar 34 sulme në qendrat shëndetësore në Gaza që nga e shtuna, në të cilat janë vrarë edhe 11 punonjës të kujdesit shëndetësor në detyrë dhe janë plagosur 16 të tjerë.

(Sipas Zërit të Amerikës)