Izraeli nis një operacion në spitalin më të madh të Gazës

Gazë, 18 mars 2024 – Forcat izraelite filluan të hënën herët një tjetër operacion në spitalin më të madh të Rripit të Gazës, duke thënë se militantët e Hamasit ishin rigrupuar atje dhe kishin qëlluar mbi ushtrinë izraelite nga brenda kompleksit, në të cilin sipas zyrtarëve palestinezë janë strehuar dhjetëra mijëra njerëz.

Ushtria bastisi për herë të fundit spitalin Shifa në muajin nëntor pasi pretendoi se Hamasi kishte një qendër komandimi brenda ndërtesës. Ushtria zbuloi një tunel që të çonte në një bunker, si dhe armë që tha se u gjetën brenda spitalit, por provat ishin të pamjaftueshme për të mbështetur pretendimet dhe kritikët akuzuan ushtrinë për rrezikimin e pamatur të jetës së civilëve.

Të strehuarit në spital thanë se forcat izraelite të mbështetura nga tanket dhe artileria rrethuan kompleksin mjekësor të hënën herët dhe snajperët qëllonin mbi njerëzit brenda tij. Ata thanë se ushtria bastisi një numër ndërtesash dhe arrestoi dhjetëra veta.

“Ne jemi të bllokuar brenda”, tha Abdel-Hady Sayed, i cili është strehuar në Shifa për më shumë se tre muaj. “Ata qëllojnë mbi çdo gjë që lëviz … mjekët dhe ambulancat nuk mund të lëvizin”.

Ministria e Shëndetësisë e Gazës tha se ushtria izraelite po hap zjarr në një ndërtesë të përdorur për operacione të posaçme mjekësore. Ministria tha se një zjarr shpërtheu në hyrje të spitalit.

Ministria tha se rreth 30,000 veta janë strehuar në spital, përfshirë pacientë, personel mjekësor dhe banorë që kanë ikur nga shtëpitë e tyre duke kërkuar siguri.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari, tha se ushtria nisi një “operacion me precizitet të lartë” në disa pjesë të kompleksit mjekësor. Ai tha se militantë të lartë të Hamasit janë rigrupuar atje dhe po drejtojnë sulmet nga kompleksi.

Ushtria publikoi një video nga ajri me pamje që sipas saj, shfaqin militantët tek qëllojnë mbi forcat izraelite nga brenda spitalit, si dhe video të një granatahedhësi që qëllonte mbi një automjet të blinduar. Ushtria tha se forcat e saj arrestuan rreth 80 persona gjatë bastisjeve.

Zëdhënësi Hagari tha se pacientët dhe personeli mjekësor mund të qëndrojnë në kompleks dhe një kalim i sigurt u hap për civilët që duan të largohen.

Izraeli akuzon Hamasin për shfrytëzimin e spitaleve dhe ndërtesave të tjera civile për të mbrojtur luftëtarët e tij, dhe ushtria izraelite ka bastisur disa spitale që nga fillimi i luftës, e cila u shkaktua nga sulmi i Hamasit më 7 tetor në Izraelin jugor.

Shumica e spitaleve të Gazës janë detyruar të mbyllen për shkak të mungesës së karburantit dhe furnizimeve mjekësore, ndonëse dhjetëra njerëz vriten dhe plagosen çdo ditë në sulmet izraelite. Sulmet e Izraelit kanë zhvendosur shumicën e 2.3 milionë banorëve të Gazës nga shtëpitë e tyre dhe Kombet e Bashkuara thonë se një e katërta e popullsisë po vuan nga uria.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza tha se të paktën 31,645 palestinezë janë vrarë në luftë. Ministria nuk bën dallimin midis civilëve dhe luftëtarëve, por thotë se dy të tretat e të vrarëve janë gra dhe fëmijë.

Militantët palestinezë vranë rreth 1200 njerëz në Izrael në sulmin e befasishëm nga Gaza që shkaktoi luftën dhe morën peng 250 persona. Hamasi besohet se ende mban rreth 100 robër, si dhe trupat e 30 të tjerëve, pasi pjesa tjetër e pengjeve u liruan gjatë një armëpushimi vitin e kaluar. në këmbim të lirimit të palestinezëve të burgosur nga Izraeli.

Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Egjipti kanë kaluar javë të tëra në përpjekje për të ndërmjetësuar një tjetër armëpushim dhe lirim pengjesh, por hendeku midis dy palëve mbetet i thellë ndërsa Hamasi kërkon garanci për përfundimin e luftës, kurse Izraeli zotohet të vazhdojë sulmet deri në shkatërrimin e grupit.

(Zëri i Amerikës)