Izraeli thotë se e ka vrarë shefin e sapoemëruar të shtabit të Ushtrisë së Iranit

Tel Aviv, 17 qershor 2025 – Izraeli ka thënë se gjatë sulmeve të natës në Iran e kanë vrarë shefin e shtabit të Ushtrisë së Iranit, Ali Shadman, i cili e ka marrë këtë detyrë vetëm pak ditë më parë, pas vrasjes së komandantit të detitashëm.

“Falë inteligjencës së saktë dhe një rasti të papritur, gjatë natës, avionët e Forcave Ajrore të Mbrojtjes e goditën qendrën koma nduese në zemër të Teheranit, ku e vranë Ali Shadmanin, komandantin më të lartë ushtarak dhe njeriun më të afërt me udhëheqësin iranian Ali Khamenei”, thuhet në njoftim të Ushtrisë së Izraelit.

Sipas ushtrisë së Izraelit, “Shadman ka ndikuar direkt në planet operacionale të Iranit kundër shtetit të Izraelit, në disa role të ndryshme”.

Irani nuk ka njoftuar ende për pretendimin e Izraelit.

Shadmani mori detyrën e shefit të shtabit të Ushtrisë së Iranit të premten, menjëherë pasi Izraeli i vrau komandantët kryesorë, përfshirë pararendësin e tij, gjeneral-lejtënant Gholam Ali Rashidin.

Rashidi dhe Shadmani e kanë udhëhequr një njësit që koordinon ushtrinë e rregullt me Gardën Revolucionare Iraniane.

Prej fillimit të sulmeve ndaj Iranit, Izraeli i ka vrarë krerët e ushtrisë iraniane, përfshirë shefin e shtabit të forcave të armatosura, Mohammed Bagheri, dhe kreun e Korpusit paraushtarak të Gardës Revolucionare të Iranit, Hossein Salami.

Po ashtu, i ka vrarë edhe shkencëtarët kryesorë të fizikës bërthamore, të cilët e kanë udhëhequr programin bërthamor të Iranit.

(r.m.)