Izraeli thotë se po përgatitet për një operacion të mundshëm tokësor në Liban

Jerusalem, 25 shtator 2024 – Ushtria izraelite po përgatitet për një operacion të mundshëm tokësor në Liban, tha më 25 shtator shefi i ushtrisë izraelite, teksa Hezbollahu – grupi libanez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara – gjuajti dhjetëra predha në Izrael, përfshirë një raketë në Tel Aviv.

Duke iu adresuar trupave në kufirin verior, gjenerali Herzi Halevi, tha se sulmet e fundit ishin të dizajnuara për “të përgatitur terrenin, me mundësinë që ju të hyni dhe të vazhdoni të degradoni Hezbollahun”.

Në një referencë për raketën që u gjuajt në Tel Aviv, ai u tha trupave: “Sot, Hezbollahu zgjeroi rrezen e tij të zjarrit dhe më vonë gjatë ditës së sotme, ata do të marrin një përgjigje të fuqishme. Përgatituni”.

Nuk është e qartë nëse Halevi po i referohej një operacioni tokësor, sulmeve ajrore apo ndonjë forme tjetër të hakmarrjes.

Ushtria izraelite ditëve të fundit ka thënë se nuk ka plane për një ofensivë tokësore. Por, deklarata e Halevit është deklarata më e fuqishme deri më tani që sugjeron se trupat mund të hyjnë në Liban.

Me armiqësitë që janë intensifikuar, ushtria izraelite tha të mërkurën se do të aktivizojë dy brigada rezervë për misionet në veri – një tjetër sinjal se Izraeli po planifikon një veprim më të ashpër.

Tensionet mes Izraelit dhe Hezbollahut janë përshkallëzuar gjatë 11 muajve të fundit. Hezbollahu ka gjuajtur raketa, dronë në veri të Izraelit në solidaritet me palestinezët në Gazë dhe me Hamasin, grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian.

Izraeli është përgjigjur me intensifikim të sulmeve ajrore që kanë lënë të vrarë qindra persona ditëve të fundit, përfshirë edhe komandantë të Hamasit.

Luftimet veçse kanë detyruar dhjetëra mijëra persona të zhvendosen në dy anët e kufirit.

Izraeli është zotuar se do të bëjë gjithçka që është e nevojshme që qytetarët e saj në veri të mund të kthehen në shtëpitë e tyre, teksa Hezbollahu ka thënë se do të vazhdojë sulmet raketore derisa të arrihet një marrëveshje armëpushimi në Gazë.

(Radio Evropa e Lirë)

Comment

*