Izraeli vazhdon sulmet në Gaza, shtohen thirrjet për mbrojtjen e civilëve

Gazë, 9 nëntor 2023 – Sulmet izraelite ndaj qytetit të Gazës vazhduan gjatë natës së të enjtes, ndërsa forcat tokësore luftuan ndaj militantëve të Hamasit në lagjet e dendura urbane pranë një spitali ku janë strehuar dhjetëra mijëra palestinezë.

Qyteti më i madh i Gazës është në qendër të fushatës së Izraelit për të eliminuar Hamasin pas sulmit të tij vdekjeprurës të 7 tetorit – dhe ushtria izraelite thotë se qendra kryesore e komandës së Hamasit ndodhet brenda dhe nën kompleksin e spitalit Shifa.

Grupi militant dhe personeli i spitalit e mohojnë një gjë të tillë. Mes alarmit ndërkombëtar për kushtet e rënda brenda Gazës, negociatorët po bëjnë përparim drejt një marrëveshjeje të mundshme për një armëpushim tre-ditor në këmbim të lirimit të mbi 10 pengjeve të mbajtura nga Hamasi, sipas dy zyrtarëve egjiptianë, një zyrtari të Kombeve të Bashkuara dhe një diplomati perëndimor. Marrëveshja do të bëjë gjithashtu të mundur dërgimin për herë të parë që nga fillimi i luftës të një sasie të vogël karburanti në Gazë.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka thënë se çdo armëpushim i përkohshëm duhet të shoqërohet me lirimin e pengjeve. Izraeli ka thënë se rreth 240 persona mbahen nga Hamasi dhe shqetësimi për gjendjen e tyre ka mobilizuar mbështetjen e izraelitëve për luftën, pavarësisht shqetësimeve ndërkombëtare në rritje.

Ndërkohë zyrtarët perëndimorë dhe arabë u mblodhën në Paris të enjten për të diskutuar mbi mënyrat për të ofruar më shumë ndihmë për civilët në Gaza, një ditë pasi G7-a ku bëjnë pjesë aleatë të ngushtë të Izraelit, bëri thirrje për shpërndarje ushqimi, ujit, ilaçesh dhe lëndësh djegëse dhe për “pauza humanitare” në luftime.

Presidenti francez Emmanuel Macron që po drejton konferencën i bëri thirrje Izraeli të mbrojë civilët, duke thënë se “të gjitha jetët kanë vlerë të barabartë” dhe se lufta kundër terrorizmit “nuk mund të kryhet kurrë pa rregulla”.

Zoti Macron përsëriti thirrjet për një pauzë humanitare në operacionet e Izraelit kundër Hamasit, por theksoi gjithashtu se mbrojtja e civilëve është “e panegociueshme”.

Marrëveshja e mundshme e armëpushimit po ndërmjetësohet nga Shtetet e Bashkuara, Egjipti dhe Katari, një vend i Gjirit Persik që negocion me Hamasin.

Një zyrtar i lartë amerikan tha se administrata e Presidentit Joe Biden ka sugjeruar që Izraeli ta kushtëzojë kohëzgjatjen e një pauze me lirimin e një numri të caktuar pengjesh, në një formulë që mund të përdoret për pauza shtesë. Të gjithë zyrtarët folën në kushte anonimiteti për të mos ndikuar në negociatat delikate që janë në vazhdim e sipër.

(Zëri i Amerikës)