Jerusalem, 3 mars 2026 -Izraeli ka nisur një ofensivë tokësore në Liban, duke shënuar përshkallëzim të luftës në Lindjen e Mesme.
Ministri i mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, ka thënë se trupat e ushtrisë izraelite janë autorizuar “të avancojnë dhe të marrin kontrollin në disa pozita të caktuara” në Libanin jugor, ku vepron grupi iranian i Hezbollahut.
Një zëdhënës i Ushtrisë së Izraelit ka thënë se trupat janë dërguar “si pjesë e një pozicioni përforcues të mbrojtjes”.
“IDF-ja po punon të krijojë një zonë shtesë të sigurisë për banorët në Izraelin verior”, ka thënë ky zëdhënës.
Ministria e Mbrojtjes e Izraelit njoftoi gjithashtu edhe për vazhdimin e sulmeve nga ajri ndaj infrastrukturës së Hezbollahut, siç tha, “për të neutralizuar kërcënimet dhe për të parandaluar infiltrimin në territorin izraelit”.
Zgjerimi i pranisë ushtarake vjen pas një sërë sulmesh me raketa dhe dronë nga Hezbollahu në drejtim të veriut të Izraelit.
Këto sulme filluan më 2 mars, si hakmarrje për vrasjen e liderit suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei.
(r.m.)