Ja pasuria marramendëse e Arben Ahmetajt, i cili është nën hetim nga SPAK

Tiranë, 23 maj 2023 – Ish-kryeministri Arben Ahmetaj duket se “lundron” në pasuri marramendëse, edhe pse një politikan tjetër i kalibrit të tij do ta kishte të vështirë të kishte të njëjtin fat si ai, edhe sikur të hante gjithë jetën e tij bukë e kos familjarisht.  Ish-ministri socialist Ahmetaj sot që flasim është nën hetim nga Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit për 4 akuza të rënda, shpërdorim detyre, korrupsion, pastrim të parash dhe përftimit të paligjshëm të interesave. Në kuadër të hetimeve, pas propozimeve të hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe prokurorëve të SPAK, me urdhër të gjykatës i janë sekuestruar disa prona dhe pasuri. Ka dyshime se Arben Ahmetaj, këto pasuri apo një pjesë të tyre, i ka siguruar me paratë e të ashtuquajturës afera e inceneratorëve. Ka prova që vila në Valamar është porositur nga Klodian Zoto, më pas ka kaluar tek Gerian Kuke, një i besuar i Ahmetajt dhe në fund ka kaluar në emrin e Erjola Hoxhës, shkruan “Shqiptarja.com”. Klodian Zoto ka mbuluar edhe shpenzimet për disa udhëtime dhe akomodime në hotele të Evropës për Arben Ahmetajn, bashkëshorten dhe bashkëjetuesen e tij. Vila dhe mbulimi i shpenzimeve të udhëtimeve, janë dy fakte të forta që e implikojnë Ahmetajn në historinë e inceneratorëve.

Skema

Megjithatë, pasuria paradoksale dhe e dyshimtë e ish-ministrit të Financave, Arben Ahmetaj, sigurisht që e ka një shpjegim. Në ngarkim të këtij personazhi ekziston një dosje e rëndë korrupsioni, e pagjykuar dhe shqyrtuar nga gjykatat shqiptare. Është një histori vjedhjeje flagrante, e cila daton në vitin 2000, por që ka vijuar deri në vitin 2015, në të cilën janë përfshirë një numër i madh zyrtarësh, por si protagonist kryesor na shfaqet Arben Ahmetaj. Shtetit shqiptar, me manovra dhe skema të faktuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i janë vjedhur miliona euro, me impulset telefonike. Dosja ishte objekt i hetimeve nga prokuroria 12 vjet më parë, por nuk arriti të shkonte në gjykatë. Konkretisht, mes kompanisë “Hermes” së Arben Ahmetajt dhe kompanisë shtetërore “Albtelekom” ka pasur një marrëveshje për marrëdhëniet e interkonjeksionit. Sipas dosjes së Kontrollit të Lartë të Shtetit, Albtelekom nuk i ka faturuar operatorit “HERMES shpk” vlerën 319 milionë lekë. Nga ana tjetër, Hermes shiti impulset telefonike dhe mori paratë, duke i deklaruar këto impulse si mosfaturim, humbje teknike, etj. Sipas dosjes, firma e ministrit Ahmetaj akuzohet me fakte dokumentare për përfitim të paligjshëm me pasojë vjedhje të financave shtetërore në miliona dollarë, nëpërmjet shërbimeve me blerje me tarifa abuzive të mbështetura edhe nga drejtuesit e “Albtelekom”. Gazeta SOT po sjellë sot për publikun pjesë nga kjo dosje korrupsioni, të cilën e ka publikuar para disa vitesh, e konsideruar si më flagrantja dhe më e rënda në historinë e pluralizmit shqiptar, ndërkohë që e njëjta u bë publiku edhe nga “Top Channel” pak javë më parë. “Nga kontrolli i dokumentacionit për marrëdhëniet e interkonjeksionit, për periudhën korrik 2001 deri në 30.09.2003 rezultoi se: Albtelecom Sh.a për periudhën e mësipërme nuk i ka faturuar operatorit Hermes vlerën 319.846.149 lekë, që ka të bëjë me trafikun e tranzituar nga operator ruralë në drejtim të operatorëve mobil, vlerë e cila nga operatorët Mobil AMC dhe Vodafon i është faturuar Albtelecom-it, për të cilën janë rënduar shpenzimet për detyrimet ndaj AMC për të gjithë periudhën, ndërsa për detyrimet ndaj Vodafon vetëm për periudhën gusht-dhjetor 2001”, thuhet në dosjen hetimore.

Vjedhja

Sipas dosjes, Albtelecom i shiti Hermes 8.6 milionë minuta bisedë me 0.5 lekë/minuta, nga 4 lekë/ minuti që ishte si tarifë ligjore. “Gjithashtu, për trafikun tranzit të realizuar në drejtim Hermes-Albtelecom-operatorë të tjerë për sasinë 8.598.104 minuta, që janë faturuar me 0.5 lekë/minuta, të ardhurat Albtelecom Sh.a janë ulur në vlerën 30.093.363 lekë, ndërkohë që me vendimin nr.9, datë 25/02./2002 të Këshillit Mbikëqyrës është miratuar shtojca e marrëveshjes ekzistuese për ata operatorë ruralë që aktualisht kanë marrëveshje interkonjeksioni me Albtelecom Sh.a, ku kjo tarifë është bërë 4 lekë/minuti. Konkretisht, sipas periudhave gjendja paraqitet si më poshtë vijon: Detyrimet e Hermesit në periudhën gusht-dhjetor 2001, për trafikun tranzit të realizuar në drejtim Hermes-Albtelecom-operatorë të tjerë, janë në sasinë 668.142 minuta, me vlerë 334.071 lekë, pra, Hermesit për diferencën 3.5 lekë për minutë i janë llogaritur detyrimet më pak në vlerën 2.338.497 lekë”, thuhet në dosje.

Pasuritë e deklaruara nga Ahemtaj

Ndërkohë nga një verifikim i të gjitha deklaratave të pasurisë së Arben Ahmetajt dhe njerëzit e lidhur më të, rezulton se asnjë nga pasuritë e konstatuara nga SPAK në emrin e Albina Mançka dhe Erjola Hoxha, nuk kanë deklaruar në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, shkruan “ Shqiptarja.com”. Ligji për deklarimin e pasurive, parashikon që zyrtari publik, përfshirë edhe ministrat dhe deputetët, duhet të deklarojnë çdo pasuri të paluajtshme dhe shpenzim mbi vlerën 300 mijë lekë, të kryer nga ai vetë, fëmijët mbi 18 vjeç, bashkëshortja apo bashkëjetuesja.  Vila në Gjirin e Lalzit, ka kaluar në emrin e Erjola Hoxhës në vitin 2022. Sipas ligjit, Ahmetajt duhet ta deklarojë deri në datën 31 mars 2023. Por, Ahmetaj nuk e ka përfshirë fare në deklarim bashkëjetuesen e saj, as në deklaratën që ka dorëzuar në ILDKPKI në vitin 2022, ku deklaron pasurinë e vitit 2021, edhe ka prova për bashkëjetesën para vitit 2021. Edhe sikur Erjola Hoxha të kishte zero pasuri, kjo gjendje duhej pasqyruar. Rasti i Ahmetaj është i pazakontë, pasi ish ministri ka bashkëshorte, por edhe bashkëjetuese. Në deklaratën e fundit të pasurisë, Albina Mançka rezulton bashkëshorte e Arben Ahmetajt. Ndërkaq, edhe shuma prej 30 mijë urosh që oficerët e BKH-së kanë gjetur në vilën në Valamar, është në kundërshtim me ligjin. Ligji për deklarimin e pasurisë parashikon që subjekti deklaruar dhe personat e lidhur me të që duhet të deklarojnë pasurinë, nuk mund të mbajë jashtë sistemit bankarë më shumë se sa 1.5 milionë lekë.  Po çfarë pasurish të paluajtshme dhe të luajtshme ka deklaruar Arben Ahmetajt ndër vite bashkë me personat e lidhur më të? Sot po sjellim pasurinë e plotë të deklaruar, ku përfshihen apartamente, makina, investim në pallate, llogari bankare në vlerë qindra mijëra euro, por mungojnë 3 vilat dhe dy apartamentet.  Mes pasurisë me vlerë mbi 3 milionë euro, është i paqartë burimi i një depozite bankare me vlerë 300 mijë euro në vitin 2010, i një makine me vlerë 30 mijë euro si dhe i një investimi për pallat në masën 20 % në Selitë me vlerë 310 mijë euro. Jo vetëm është i paqartë, por në deklaratat e pasurive nuk ka asnjë shpjegim mbi burimin e 640 mijë eurove.

Deklarimi fillestar i vitit 2010, pasi Ahmetaj u bë deputet

  • Apartament 120 m2, ndërtuar në periudhën 1999-2000, me vlerë 3 500 000 lekë. Burimi: Kursimet e pagave të bashkëshortëve.
  • Shtëpi në Durrës 74 m2, blerë në vitin 2005 me vlerë 49 mijë dollarë. Burimi: Shpërndarje fitimi nga biznesi.
  • Tokë arë 3 000 m2 me vlerë 3 000 000 lekë. Burimi: Kredi bankare.
  • Makinë Benz 30 mijë euro. Burimi?
  • Depozitë 300 mijë euro në 2010, nga të cilat ka fituar 14 mijë euro interesa. Burimi?
  • Bashkëshortja Albina Mançka, apartament 200 m2 të blerë në dhjetor 2001, vlera 75 mijë USD. Burimi: Kredi 45 mijë USD.
  • Albina Mançka, apartament 200 m2 plus 60 m2, nga zyrë 200 m2 plus 100 m2 dhe 3 parkime. Investim 105 mijë euro në një kontratë sipërmarrje. Burimi 100 mijë euro kredi.
  • Albina Mançka, pronare në masën 20% të një investimi në godinë banimi në Selitë me vlerë 310 000 euro. Burimi?
  • Albina Mançka, makinë Mazda të blerë në shtator 2004, me vlerë 6 mijë euro.
  • Ahmetaj, 45 mijë euro të ardhura si konsulent i jashtëm pranë “Bendi Integrated” për periudhën shtator 2008- Mars 2009.
  • Të ardhura 1 050 000 lekë si konsulent i jashtëm pranë H-Communication Sh.a, periudha Shtator 2005- Qershor 2008.
  • Të ardhura 620 000 lekë si anëtar i Këshillit Bashkiak dhe si anëtar i Këshillit të Qarkut për periudhën mars 2007- shtator 2009.
  • Albina Mançka, 11 000 Dollarë nga paga pranë programit ECESP, 3 562 615 lekë 1 100 euro nga dhënia me qira e zyrave në katin e dytë të një pallati. E ardhura neto vjetore e qirasë është 12 mijë euro.

Pasuritë e Arben Ahmetaj në vitin 2020

  1. Të ardhura si ministër Arben Ahmetaj, 1 407 581 lekë.
  2. Të ardhura 4 500 Dollarë për shërbimet e konsulencës pranë NDI.
  3. Bashkëshortja, Albina Mançka, 6 998 046 lekë nga paga e shpërblime nga pranë Intesa San Paolo.
  4. Albina Mançka, të ardhura nga qiratë 11 220 euro
  5. Vajza Livia Ahmetaj, 21 000 Pound nga punësimi i pjesshëm pranë CCL.
  6. Pakësuar me 31 968 Euro llogaria me gjendje 103 361 euro, për pagesën e shkollës së vajzës në Angli dhe pagesa për pushimet verore.
  7. Pakësuar me 200 000 euro llogaria e bashkëshortëve, gjendja është 3 483 Euro. Fondet janë përdorur për investime në bonde në llogarinë personale të A. Mançka dhe shkollimin e vajzave.
  8. Bashkëshortja, llogari rrjedhëse me plan kursimi pension nga banka me gjendje 13 462 935 lekë.

(sot.com.al)